Kthimi i Adem Jasharit në kullë
Arif Molliqi
(Meditim për heroin)
“Nëse vritem më i madh jam se vrasësi” / (Ali Podrimja)
Ai që i rri afër kullës,
Ai i rri afër Zotit,
I rri afër Atdheut, sepse…
Në këtë kohë nuk i zihet besë njeriut, „njeriut“ çfarë ne i kemi fqinjin… Atij qe i lakmon kullat e huaja, i lakmon tokat e huaj, që e lakmon Atdheun e huaj…Tokë me i fal shkaut nuk kam dhe, qebesa, as qençe nuk jetohet më, prandaj po kthehem në Drenicë, në Kosovë…! Kështu diçka ka thënë Adem Jashari kur në Shqipëri me 1992 i kishin thënë, të largohet diku në shtetet e Perëndimit, se kthimi në Kosovë do të ishte rrezik për te.
Por jo.
Ai, Adem Jashari, me dy kobure në brez, ashtu si gjeneral Isa Boletini dikur, e mori rrugën për në kullat e Drenicës. Rrugë në rrugë, shteg më shteg, e, besa, pritë në pritë, udhëtoi gjatë nga Shqipëria deri në Prekaz. Kaloi shtigje të vështira atyre bjeshkëve shqiptare. Gjatë rrugës diçka e kishte ndalur…Një kufi që kurrë Ademi nuk e kishte pranuar. Një kufi artificial. Sa ishte lodhur e ndoshta kjo lodhje ju shtua edhe më shumë kur pa atë guri aq të madh, aq të shëmtuar që i ndante dy vëllezërit mespërmes…
U ndal. Gjatë e shikoj, herë vijën kufitare, e, herë gurin e kufirit. Ju duk se ajo vijë e tërhequr me tehun e shpatës, që aq gjatë kishte kulluar gjak, po i kalonte mbi trupi, kurse guri me dy- tri shkronja cirilike po i rëndonte aty ku frymon, mbi mushkëri.
U mundua të marr frymë thellë, por, jo. Guri e rëndonte.
Ia kishte ndarë kraharori në dy pjesë, të dy mushkëritë merrnin frymë ndaras…
Ah, ky guri i kufirit?!…
E drejtoi shikimin nga Shqipëria dhe iu bë sikur e dëgjonte Aliun e Podrimës më atë „ Etyde për Shqipërinë“ „ Xhuxhe je moj/ xhuxhe je ti/ pa mua“. Pastaj, shikoj nga Kosova , por nuk foli. I kishte të pakta fjalët…
Pak fliste e, më shumë vepronte…
“Tokë me nda nuk kam/… Me vdekë duhet mësue/ Qençe nuk jetohet ma” (Ali Podrimja, „Ishulli Albania“)
E tundi xhurdinë, koburen e shtrëngoj fortë.
I mati malet me sy…
Po të ishte Bajroni gjallë në shënimet e tij në „Çajld- Harold“ përveç shënimit; „ Shqiptarët përgjithësisht kanë një dukje të mirë…janë më madhështorët në botë…“, do të shënonte edhe ketë: Kur Zoti i ka krijuar këta njerëz kaq madhështorë s´ka sesi të mos shpëtoj kjo tokë nga të këqijat, nga grabitqarët!
He, tokë me nda nuk kam! – pëshpëriti edhe një herë Adem Jashari dhe e nxori më rrënjë gurin e kufirit, e rrokullisi në një përrua, atje të djajtë, zbriti malit e drejt rrafshit të Dukagjinit.
Netët e rrugëtimit deri në Kullën e Jasharajve i kaloj kullë në kullë, anekënd Kosovës.
Bisedat nuk kishin të sosura atyre netëve në odat e Kosovës. I kishin thënë: Do vritemi Adem!…
“Nëse vritem/ më i madhi jam/ se vrasësi
Ku ke parë or i uruar/ litarin nga qafa/ ta heqë i ligu” (Ali Podrimja, “Pika e bardhë”)
Mendoja e çka s´mendoja kur dëgjova se Adem Jashari kishte arritur në Drenicë. Do ta kaloja bashkë me të një pjesë të pasdites, mbrëmjen dhe natën… Isha përgatitur unë në Hamburg e Adem Jashari në Drenicë…
Asnjë kobure nuk ma kishte dhënë Ademi, se ua kishte dhënë të tjerëve.
Sa shumë ju kishte dhënë…! Jo kobure, por zemër u kishte dhënë trimave Ademi, e ata më koburet, me zemrën e Adem Jasharit luftonin në Drenicë, në Dukagjin, në Shalë… E, kur hordhitë e egra barbare të zbritura nga Karpatet ia kishin mësy Kullës së Jasharajve, aty ku plaku Shaban Jashari( babai i Ademit dhe Hamzës) nuk e lëshonte kullën për krejt mallin e dynjasë, aty Kosova nisi të frymoj ndryshe…
Thonë se gjëmimi i topave të hasmit që ia rrihnin Kullën axhës Shaban, ishin dëgjuar larg. Shumë larg, deri…
Edhe muret e Kullës kishin qëndruar deri sa dikush i kishte thënë Ademit…
Me siguri Alia i Podrimës:
“Hap syrin/…Hija e vdekjes/
(ta) ma paska mbuluar Kullën„ ( Beteja e Kosovës)
E, Adem Jashari ju kishte përgjigjur me vargjet e poetit:
“Kur të vdes
Varrosmëni ku të doni
Stom një burimi
apo nën sjetull të një Mali
Vetëm ku flitet Shqipja…”
Hamburg, mars, 1999



