Operacioni “Samson” i Iranit: Të rrezikosh gjithçka për të shkatërruar ekonominë e vendeve të Gjirit
Mbi një mijë dronë dhe 200 raketa: Irani po bën çmos për t’i shtyrë Emiratet e Bashkuara Arabe drejt një stresi ekstrem. Presion edhe ndaj Bahreinit, Dohës dhe Riadit. Emiratet i kanë paguar miliarda Trumpit, por nën ndikimin e bombave, projektet e mëdha të inteligjencës artificiale po dështojnë.
Federico Fubini – Corriere della Sera
Khalaf Ahmad Al-Habtoor nuk është një “luan tastiere”, por një miliarder i establishmentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nuk është një kundërshtar i Donald Trump-it, por një ish-diplomat që kishte besuar se mund të bënte edhe më shumë biznes falë presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, të enjten më 5 mars ai publikoi një letër ku i drejton një sërë pyetjesh dhe vërejtjesh të mprehta manjatit të Shtëpisë së Bardhë: “A i ke llogaritur dëmet kolaterale para se të qëllosh? I ke vënë vendet e Gjirit në zemër të një rreziku që nuk e kanë zgjedhur”.
Dhe më tej: “Nismat e tua të Bordit të Paqes janë financuar nga shtetet e Gjirit” shkruan Al-Habtoor, duke menduar për miliardin e dollarëve që administrata u ka kërkuar secilit prej tyre për t’u ulur në tryezë: “Ku kanë përfunduar këto para?”.
Letra e Al-Habtoor mbyllet duke kujtuar se “lidershipi i vërtetë nuk matet nga vendimet e luftës, por nga mençuria, respekti për të tjerët dhe shtysa drejt arritjes së paqes”.
I gjithë ky hidhërim është i kuptueshëm. Vlerësimet e fundit tregojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat u kanë mohuar Shteteve të Bashkuara përdorimin e bazave të tyre për të sulmuar Iranin, janë goditur nga forcat e Teheranit me rreth dyqind raketa dhe 1 mijë e 72 dronë; njëzet raketa dhe rreth shtatëdhjetë dronë kanë kaluar mbrojtjen ajrore duke goditur, ndër të tjera, aeroportin e Dubait, disa hotele të mëdha, dy qendra të dhënash të Amazon Web Services dhe qendrën kryesore të desalinizimit (procesi i heqjes së kripës dhe mineraleve nga uji i detit për ta bërë atë të pijshëm).
Në krahasim, qendrat e tjera të Gjirit janë më pak të sulmuara. Bahreini, që ka flotën e pestë amerikane, ka pësuar rreth 75 raketa dhe 130 dronë. Katari, ku ndodhet baza më e madhe amerikane në rajon, ka marrë rreth njëqind raketa dhe dyzet dronë. Arabia Saudite nuk publikon të dhëna mbi sulmet, por edhe pse rafineria e saj kryesore është goditur dy herë, duket më pak e shënjestruar.
Ka një metodë në këto goditje të pamëshirshme. Emiratet janë objektivi kryesor i iranianëve jo vetëm sepse, me Marrëveshjet e Abrahamit, njohin Izraelin. Edhe Bahreini e bën këtë, por krahasimisht kursehet. Më tepër duket se modeli Dubai është objektivi i vërtetë i Teheranit, simboli i integrimit blasfem të arabëve të Gjirit në elitat globale të parave. Dhe ndoshta ajo që Garda Revolucionare iraniane dëshiron është pikërisht lloji i reagimit të Al-Habtoor, miliarderit të Emirateve që tani akuzon Trump-in.
Në Izrael ekziston diçka që quhet “Opsioni Samson”, ideja për të rrëzuar kolonat e tempullit mbi veten dhe mbi armiqtë filistinë, pra aktivizimi i armës atomike në një sfidë ekzistenciale me Iranin. Vetë Irani ndoshta po eksperimenton diçka në të njëjtën drejtim. Ai dëshiron të çojë në ekstrem stresin e fqinjëve arabë në Gjirin Persik, edhe me rrezikun e hakmarrjes së tyre, vetëm për t’i shtyrë drejt një revolte kundër Trump.



