VLEN duhet të zgjedhë mes Shkupit dhe “politikës së mëhallave e akrabarve”
Shkruan: Astrit Gashi
Diskursi i ditëve të fundit, i artikuluar nga disa eksponentë të koalicionit VLEN lidhur me transformimin e tij në një subjekt unik politik, për momentin ngjan më tepër si një retorikë ambicioze sesa si një realitet i konsoliduar politik dhe organizativ.
Ambicia për unifikim është e mirëpritur, por ajo nuk mund të mbështetet vetëm mbi deklarata publike duhet një kapërcim i barrierave mendore të trashëguara nga e kaluara dhe ndërtimin urgjent të një strukture funksionale institucionale.
Fitorja e VLEN-it në zgjedhjet e fundit nuk ishte thjesht një rezultat elektoral, por një manifestim i qartë i pakënaqësisë së akumuluar ndaj modelit të konsumuar të qeverisjes së BDI-së.
Megjithatë, historia politike na mëson se legjitimiteti që buron nga protesta qytetare apo vota protestë është shpesh një energji e përkohshme ajo shuhet shpejt nëse nuk shndërrohet në një projekt politik afatgjatë, me vizion institucional dhe me strukturë të qëndrueshme organizative.
Sfida thelbësore për VLEN-in sot nuk është vetëm ruajtja e kapitalit elektoral, por transformimi i tij në një model të ri qeverisjeje politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo kërkon një shkëputje të qartë nga praktikat klienteliste dhe nga logjika e interesave të ngushta grupore, të cilat për dekada kanë deformuar përfaqësimin politik të shqiptarëve.
Një nga pengesat kryesore për unifikimin e vërtetë të këtij koalicioni mbetet mentaliteti provincial që ende dominon një pjesë të aktorëve politikë. Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk mund të vazhdojë të fragmentohet në “feude” lokale Tetovë, Gostivar, Kërçovë apo Kumanovë sikur të bëhej fjalë për territore të autonomisë politike personale. Një projekt politik që synon pjekurinë institucionale duhet të ketë një qendër graviteti të qartë në Shkup.
Vendosja e selisë dhe fokusit politik në kryeqytet nuk është thjesht çështje adrese administrative. Ky veprim simbolizon kalimin nga politika e mëhallave në politikë shtetformuese. Pa këtë orientim strategjik, VLEN rrezikon të mbetet një koalicion komunash dhe interesash lokale, në vend që të shndërrohet në një faktor real politik në nivel shtetëror.
Pas zgjedhjeve parlamentare, Izet Mexhiti u profilizua si figura qendrore e këtij projekti politik. Megjithatë, mungesa e një stafi ekzekutiv kompakt dhe e një strukture të qartë vendimmarrëse rreth tij ka krijuar një vakuum organizativ. Ky boshllëk, në vend që të mbushet me një proces institucionalizimi, po shfrytëzohet nga individë që, të ngritur mbi valën e retorikës së ndryshimit, pretendojnë role liderësh pa poseduar peshën reale elektorale apo legjitimitetin politik të nevojshëm.
Në disa raste, paradoksi bëhet edhe më i dukshëm kur disa figura me horizont politik që shpesh nuk shkon përtej kufijve të lagjes së tyre sulmojnë publikisht arkitektët e ndryshimit, si Fatmir Limanin, apo figura që në momente vendimtare kontribuan për konsolidimin e koalicionit, si Arben Fetai. Retorika e kërcënimeve për largime nga koalicioni nuk është shenjë force politike, por simptomë e mungesës së kulturës institucionale.
Realiteti politik është më i thjeshtë se retorika, asnjë nga udhëheqësit aktualë Bilall Kasami, Bekim Sali, Izet Mexhiti apo Bekim Qoku nuk ka fuqinë politike apo legjitimitetin moral për të përjashtuar arbitrarisht aktorë të rëndësishëm nga ky projekt. Fitorja e VLEN-it është produkt kolektiv dhe askush nuk mund ta përvetësojë atë si pronë private..
Për të shmangur dështimin dhe zhgënjimin e elektoratit shqiptar, rruga e vetme legjitime përpara është institucionalizimi i plotë i projektit politik përmes disa hapave të qartë:
Formimi i një Këshilli Iniciator, me përfaqësim të barabartë nga të gjitha subjektet përbërëse të koalicionit.
Organizimi i një Kuvendi Themelues në Shkup, i cili do të formalizojë unifikimin dhe do ta shpallë atë para votuesit shqiptar
Krijimi i një kryesie të përbashkët meritokratike, ku kompetenca dhe kredibiliteti politik të vendosen mbi interesat klienteliste.
Çdo manovër tjetër një kryetar , dy kryetar jashtë kësaj rruge rrezikon të shndërrohet në një përpjekje të përkohshme për mbijetesë politike vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme.
Historia e tranzicionit politik në Maqedoninë e Veriut është e mbushur me projekte që u shuan pikërisht sepse mbetën peng i ambicieve personale dhe i logjikës së klaneve.
Eksperimentet politike, në shumicën e rasteve, përfundojnë duke “ngrënë kokat” e atyre që i nisin. Nëse VLEN nuk arrin të institucionalizohet dhe të kapërcejë politikën e mëhallave dhe të akrabave, rreziku është që liderët e tij të hyjnë në një cikël përplasjesh të brendshme ku secili përpiqet të mbijetojë politikisht duke dobësuar tjetrin.
Në një skenar të tillë, fituesit e vetëm nuk do të jenë votuesit shqiptarë, por sponsorët e vjetër të përçarjes politike ata që për dekada kanë përfituar nga fragmentimi i faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
VLEN sot gjendet përpara një prove ose do të bëhet një forcë reale unifikuese që i përgjigjet pritjeve të votuesve shqiptarë, ose do të mbetet një tjetër projekt i parealizuar në historinë e gjatë të eksperimenteve politike shqiptare në këtë vend ku gjithmonë lideret i kanë tradhtuar artitektet e fitorës..



