Prapaskenat: Klerikët e Asamblesë u kërcënuan nga Garda Revolucionare për të votuar Mojtaba Khamenein
Një raport i publikuar nga IranWire pretendon se Organizata e Inteligjencës e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka ushtruar presion dhe ka kërcënuar anëtarë të Asamblesë së Ekspertëve për të siguruar shpalljen e Mojtaba Khamenei si udhëheqësi i tretë Suprem i Republikës Islamike.
Sipas një burimi të cituar nga media, presioni i Gardës Revolucionare për të shpallur Mojtaba Khamenein pasardhës të të atit ishte aq i madh, sa disa anëtarë kundërshtues të Asamblesë së Ekspertëve u detyruan të pranonin vendimin pasi u kërcënuan ata dhe familjet e tyre.
Burimi thekson se heshtja e disa prej anëtarëve pas shpalljes së liderit të ri mund të jetë rezultat i këtyre kërcënimeve. Sipas raportit, kërcënimi ndaj familjarëve është një praktikë që është përdorur më parë nga aparati i sigurisë në Iran për të heshtur kritikët, gazetarët apo denoncuesit e korrupsionit.
Në raport përmendet edhe rasti i Abbas Palizdar, një ish-anëtar i një komisioni hetimor gjyqësor gjatë presidencës së Mahmoud Ahmadinejad, i cili ndaloi publikimin e akuzave të tij për korrupsion vetëm pasi ai dhe disa familjarë e miq u arrestuan.
Sipas burimit të IranWire, aparati i sigurisë i IRGC ka vazhduar të kërcënojë anëtarët kundërshtues të Asamblesë së Ekspertëve për të shmangur çdo sfidë ndaj udhëheqjes së Mojtaba Khameneit.
Më 8 mars, Asambleja e Ekspertëve njoftoi zyrtarisht se Mojtaba Khamenei ishte zgjedhur lideri i tretë suprem i Republikës Islamike, pas vdekjes së të atit, Ali Khamenei. Pak ditë para këtij njoftimi, edhe Iran International raportoi se vendimi ishte marrë nën presionin e Gardës Revolucionare.
Megjithatë, pavarësisht shpalljes, deri tani nuk janë transmetuar pamje apo fjalime të reja nga lideri i ri.
Mediat shtetërore iraniane i referohen atij si “i plagosuri i Ramazanit”, ndërsa detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore pas sulmeve të raportuara izraelite dhe amerikane ndaj zyrës së liderit suprem mbeten të paqarta.



