Komiteti i rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën
Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), se në opinionin e tij më të fundit mbi paketën e zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.
Ky vendim, siç është thënë në njoftimin e AKK-së vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.
Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.
“Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian. Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë”, ka njoftuar AKK-ja.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka theksuar se ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian.



