Barcelona hyn në garë për Pedro Neton

13 mars 2026 | 16:10

FC Barcelona po planifikon të ndërhyjë në disa reparte të skuadrës së trajnerit Hansi Flick gjatë afatit kalimtar të verës, dhe krahu i sulmit është një nga pozicionet që pritet të përforcohet. Marcus Rashford është në një pozicion të mirë për t’u transferuar përfundimisht nga Manchester United, por klubi katalanas po shqyrton edhe alternativa të tjera.

Ez Abde dhe Jan Virgili, të cilët kanë luajtur më parë për Barcelonën në periudha të ndryshme të karrierës së tyre, janë përmendur si kandidatë për t’u rikthyer në Spotify Camp Nou. Megjithatë, ata nuk janë të vetmit në radarët e drejtorit sportiv Deco. Sipas raportimeve të fundit, në listë është shtuar edhe anësori i Chelsea FC, Pedro Neto, i cili shihet si një opsion i mundshëm për verën.

Neto vlerësohet për aftësinë e tij për të luajtur në të dy krahët e sulmit, gjë që është shumë e rëndësishme për Flick. Roony Bardghji ka bërë paraqitje të mira që nga transferimi i tij nga FC Copenhagen verën e kaluar, por ai nuk konsiderohet si një lojtar që mund ta zëvendësojë rregullisht Lamine Yamal, prandaj në disa raste Raphinha është aktivizuar në krahun e djathtë.

Neto, i cili mund të largohet nga Chelsea gjatë verës, përfaqësohet nga super-agjenti Jorge Mendes, i cili ka marrëdhënie shumë të ngushta me presidentin e Barcelonës Joan Laporta dhe me Deco. Nëse Laporta rizgjidhet president i klubit në votimin e këtij fundjave, atëherë gjasat për realizimin e një marrëveshjeje do të rriteshin.

Barcelona ka raporte shumë pozitive për Neton, por çdo transferim do të varet nga mundësitë financiare që klubi do të ketë gjatë verës. Prioriteti kryesor mbetet afrimi i një mbrojtësi qendror dhe një sulmuesi të ri, dhe ekziston mundësia që reprezentuesi portugez të mos transferohet për shkak të kostos së lartë.

Muajt e ardhshëm do të përcaktojnë nëse Neto është një objektiv realist për Barcelonën. Për momentin, plani kryesor është afrimi i Rashfordit, por nuk përjashtohet që edhe anësori i Chelsea-t të përfundojë në fund te Barcelona në Spotify Camp Nou.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, i ka ndarë sot mirënjohje…