Vrasja në Gjakovë, Elezi: Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri dhe gëzhoja

16 mars 2026 | 12:59

I dyshuari për vrasjen e rëndë në Gjakovë është i njohur për Policinë e Kosovës dhe aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa janë duke u ndërmarrë masat për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi

Ai ka thënë se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”, pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ku një person ka humbur jetën në vendngjarje.

“Sot siç e dini në mëngjes, rreth orës 5 e 30, kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri. Si pasoj e plagëve të marra, njëri nga këta persona ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje. Menjëherë policia ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore. Menjëherë rastit iu kanë përgjigjur njësitë relevante të policisë, kanë dalë në vendngjarje, po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit i cili është njoftuar për ngjarjen, në konsultim me të cilin është iniciuar rast ‘vrasje e rëndë’, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor. Aktualisht si drejtori jemi duke ndërmarrë masa për arrestimin e personit të dyshuar, lokalizimin në fakt dhe arrestimin e personit të dyshuar i cili deri më tani gjendet në arrati”, tha ai.

“Atë që mund ta ndajmë tash, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun duke qenë se jemi në këtë fazë të hetimeve, domethënë në fazën fillestare të hetimeve, jemi në mbledhjen e dëshmive dhe verifikimin e dëshmive të cilat veç janë duke u verifikuar dhe duke u analizuar”, ka thënë Elezi.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kujtuar gjyshin…