Goqi: QKMF Gjakovë në gatishmëri të plotë edhe gjatë festave për kujdesin ndaj pacientëve
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjakovës, Lulzim Goqi, ka shprehur mirënjohje të veçantë për ekipin e urgjencës në QKMF Gjakovë, të cilët edhe gjatë festës së Fitër Bajramit kanë qëndruar në shërbim të qytetarëve.
Ai ka përgëzuar stafin mjekësor për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, duke theksuar se ata nuk e kanë ndalur punën as në ditë feste, duke garantuar kujdes të vazhdueshëm për pacientët.
“Ekipi i Urgjencës në QKMF Gjakovë edhe në ditë feste është në shërbim dhe gatishmëri të plotë për shëndetin e pacientëve. Gëzuar Festën e Fitër Bajramit! Shëndet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Goqi në mesazhin e tij.
Ky angazhim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor dëshmon përkushtimin ndaj shëndetit publik dhe gatishmërinë për të ofruar shërbime në çdo kohë, pa dallim.



