Peci reagon për billbordet: U larguan ato pa leje, kam rekomanduar që të bëhet përjashtim për atë të Thaçit e Veselit
Kryetari i Mitrovicës Jugore, Faton Peci, ka thënë se billbordët që janë larguar sot në këtë komunë, kanë qenë të vendosur pa leje dhe shfrytëzohen kundërligjshëm.
Peci në postimin e tij në “Facebook” ka thënë se, ai ka rekomanduar që përjashtim të bëhet vetëm billbordi i vendosur për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata.
“Të dashur qytetarë, Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji. Autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfytëzohen kundërligjshëm. Si kryetar, u kam rekomanduar që të ketë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata. Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pinë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli”, ka shkruar Peci.



