Misioni faktmbledhës i platformës së Këshillit të Evropës: Kosova ka rënie të lirisë së medieve

25 mars 2026 | 16:42

Misioni Faktmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve gjatë konferencë për medie ka paraqitur të gjeturat e punëtorisë dy ditore me përfaqësues të mediave.

Gjatë prezantimit të të gjeturave është thënë se liria e medieve është më keq se sa viteve të kaluara.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka theksuar se janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se zyra e kryeministrit ka shprehur vullnet për bashkëpunim sa i përket ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“E gjetura jonë kryesore, siç u përmend, është që pas misionit që kishim pak a shumë në vitin 2022 e deri më tani, ka rënie të lirisë së medias në Kosovë, pra ka përkeqësim të situatës. Dhe arsyet kryesore janë të shumta, mirëpo ne jemi fokusuar në këto dy ditë të misionit në tre aspekte, të cilat besojmë që kanë ndikuar që situata të përkeqësohet. E para ka të bëjë me ligjin jo kushtetues për Komisionin e Pavarur për Media; e dyta ka të bëjë me presionin politik në Radio Televizionin e Kosovës dhe problemet me financimin e televizionit publik; dhe e treta ka të bëjë me sulmet verbale. Në deklaratën tonë do të gjeni më shumë detaje, por ajo çfarë ne shpresojmë, nëse duam të jemi pak më konstruktivë në kuptim me shikuar përpara, është që shpresojmë shumë që ligji për KPM-në, i cili është në agjendën legjislative, do të draftohet në konsultim dhe me përfshirje të të gjitha grupeve të interesit, me fokus të veçantë të shoqërisë civile dhe të mediave dhe gazetarëve”.

“Pas takimit me kryeministrin, ne patëm edhe një takim ashtu të shkurtër kalimthi me stafin e zyrës së Kryeministrit, të cilët për mua ishin shumë e shumë konstruktivë dhe na lanë derën hapur me bashkëpunua me ta, dhe shprehën vullnetin që sidomos sa i përket ligjit për Komisionin e Pavarur për Media si ligjin më thelbësor, do të ketë një procedurë tjetër krahasim me atë që kishim para tri viteve, e që i bie me përfshirje gjithëpërfshirëse të të gjithë akterëve. Shpresoj që ajo çfarë u diskutua do të ndodhë edhe në realitet. Nga ana jonë ne i shprehëm interesimin tonë që do të bashkëpunojmë, të ofrojmë ekspertizë edhe bashkë të punojmë në draftim”, ka thënë Kusari.

Ndërsa Ricardo Gutierrez nga Federata e Gazetarëve Evropianë, ka theksuar se situata është më keq dhe se qasja e kryeministrit Kurti ndaj medieve është shqetësuese.

“Ne u takuam me kryeministrin dje për gati dy orë. Dhe nga këndvështrimi im, përfundimi më shqetësues nga ky takim është fakti që kryeministri nuk po e njeh këtë klimë armiqësore, përkundrazi, ai po e justifikon atë. kryeministrit Albin Kurti iu kërkua të dënonte deklaratat publike kundër gazetarëve, mirëpo ai nuk pranoi”.

“E dini, ‘nëse gazetarët sulmohen, mbase kjo ndodhë sepse ndonjëherë edhe politikanët sulmohen’. Pra, është si të justifikosh këtë lloj gjëje dhe ai refuzoi qartë të dënonte, sepse ne i kërkuam atij, i kërkuam të dënonte çdo deklaratë publike kundër gazetarëve. Ai refuzoi ta bënte këtë dhe nga këndvështrimi im, ky është një nga përfundimet më shqetësuese të këtij takimi. Pse e them këtë? Sepse unë e shoh këtë si një mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën. Ne e pyetëm disa herë për propozimet e tij për të përmirësuar situatën asgjë nuk erdhi nga ana e tij, pavarësisht deklaratës zyrtare që ai publikoi pas takimit duke thënë se ishte gati të bashkëpunonte me ne dhe të konsideronte propozimet. Unë mund t’ju them se gjatë takimit nuk pati asnjë propozim për të përmirësuar situatën”, ka thënë Gutierrez.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para pak çastesh, përballë Katedrales në Prishtinë ka ndodhur një…