Kosova 90 minuta larg Botërorit, Rama dhe Lladrovci u bëjnë thirrje kryetarëve të komunave të vendosin ekrane gjigante në sheshe për ta shikuar ndeshjen me Turqinë
“Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje, çdo qytet në një zë të vetëm, dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares sonë”, ka shkruar Rama në “Facebook”, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit për këtë moment historik për vendin.
Postimi i plotë:
KRYETARËT E KOMUNAVE TË KONTRIBUOJNË PËR MREKULLINË E KUALIFIKIMIT TË KOSOVËS NË KAMPIONAT BOTËROR!
Të martën na pret një moment historik për shtetin tonë, mundësia që Kosova të shkruajë historinë me kualifikimin në Kampionati Botëror ⚽️
Këto ditë, krenaria dhe atdhedashuria kanë bashkuar çdo qytetar. Pas asaj që përjetuam në Bratislava, besimi është më i madh se kurrë dhe i gjithë vendi rreh si NJË zemër 💙
Megjithatë, kapaciteti i Stadiumi “Fadil Vokrri” është tejet i vogël, për të gjithë ata që duan të jenë në këtë ndeshje vendimtare.
Prandaj, në frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, ftojmë kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha,në pajtim me rrethanat e sigurisë publike, në sheshet e qyteteve të tyre, në mënyrë që të gjithë qytetarë të kenë mundësinë të përjetojnë këtë natë historike.
Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje, çdo qytet në një zë të vetëm, dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares sonë për kualifikimit historik në Kampionatin botëror.
Ky është momenti ynë. Le ta jetojmë së bashku. Le ta shkruamë historinë në çdo qytet të Kosovës



