Pensionistët e Kosovës në arkivolin e qeverisë!

30 mars 2026 | 15:55

Reagim i KMDLNj-së

Qeveria e papërgjegjshme Kurti 3 ndanë fonde majtas – djathtas duke mashtruar opinionin se ka siguruar dhe po siguron mirëqenie për qytetarët e saj shumica e të cilëve kanë probleme serioze të sigurojnë mbijetesën. Çmimet po rriten jashtë çdo kontrolli dhe janë në shpërputhje të madhe me kapacitetin buxhetor të shumicës së familjeve kosovare.

Ndërmarrja kriminale ZRrE, që nga funksionalizimi i saj më së shumti i ka dëmtuar qytetarët e Kosovës duke shërbyer si bankomat për politikanët dhe të huajt. Edhe sot kjo ndërmarrje kriminale bashkë me KEDS  i plaçkitë qytetarët e Kosovës përmes tarifave e sidomos përmes njehësorëve ndërkaq që kanë mbrojtje të fuqishme nga politika aktuale.

Institucionet e drejtësisë asnjëherë nuk kanë reaguar ndonëse faturimi dhe pagimi i faturave është bërë në baza diskriminuese, në baza etnike, shqiptarët dhe joserbët për thuaja 10 vite kanë paguar rrymën për serbë. Serbët edhe sot përmes Elektroseverit (operator nga Serbia) paguajnë rrymën shumë më lirë se qytetarët e Kosovës.

Sot qeveria e papërgjegjshme Kurti 3 ndau rrogën e 13-të për shërbyesit civil, si përmbushje e premtimit elektoral. Po kjo qeveri nuk e rriti vlerën e koeficientit e as që e bëri indeksimin që parashihet me ligj.

Qeveria e Kosovës ndau 500.000 euro për futbollistët e ekipit të Kosovës ndonëse të gjithë janë profesionistë dhe fitojnë bukur shumë në ekipet e tyre. Po kjo qeveri e papërgjegjshme nuk bëri asgjë për shtresat më të rrezikuara dhe më të cenueshme të shoqërisë si pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët e luftës, invalidët e luftës dhe të tjerët.

KM i Kosovës po vepron si Mari Antoaneta; në mungesë të vullnetit të sigurojë bukën e gojës për kategoritë më të rrezikuara , iu rekomandon të hajnë ëmbëlsira! Për 6 vite të qeverive Kurti 1.2 dhe 3, pensionet janë rritur vetëm 20 për qind përkatësisht 3.25 për qind brenda një viti ndonëse çmimet dhe shërbimet janë rritur 100 për qind e më shumë gjatë kësaj keqqeverisjeje.  Vitrat prej 100 euro në disa raste janë mjete klienteliste për blerje të votave.

KMDLNj vlerëson se kjo qeveri ka dështuar të respektojë dhe mbrojë të drejtat e njeriut të grupeve më të cenueshne dhe më kontributdhënëse të shoqërisë duke ua mohuar një jetë të dinjitetshme përmes një pensioni të arsyeshëm apo page. Me këto pensione nuk mund të sigurohet as edhe një vdekje e dinjitetshme e lëre më jetë e dinjitetshme.

Shtetet e rajonit kanë rritur disa herë pensionet dhe shumën e skemave sociale , Qeveria e Kosovës ka hyrë në skemën e improvizimeve dhe manipulimeve mashtruese pa prodhuar asnjë efekt për ata që vërtetë kanë nevojë. Në një vend normal qytetarët do të protestonin çdo ditë duke kërkuar kushte dinjitoze jetese kurse në Kosovë merren me probleme globale për të cilat askush nuk i pyet asgjë dhe nuk kanë asnjë ndikim. Vend i paradokseve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë…