Komuna e Malishevës hap thirrjen për aplikim për mjete bujqësore
Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Kosova, ka shpallur thirrjen për aplikim për mbështetje në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo thirrje realizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe synon përkrahjen e fermerëve të komunës përmes furnizimit me pajisje dhe mekanizëm bujqësor.
Projektet për të cilat mund të aplikohet janë: serra 50 m², motokultivatorë, freza për traktor, spërkatëse për traktor dhe shpërndarëse të plehut kimik.
Në thirrje janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë aplikuesit. Përfituesit duhet të jenë banorë të Komunës së Malishevës, të kenë tokë bujqësore të përshtatshme për realizimin e projektit, si dhe të jenë të regjistruar si fermerë me numër identifikues në NIF. Po ashtu, përfituesit duhet të marrin pjesë me bashkëfinancim prej 20 për qind të vlerës së projektit.
Ndër kriteret tjera theksohet se përfituesit nuk duhet të kenë përfituar më parë nga projekte të ngjashme gjatë dy viteve të fundit nga komuna apo në bashkëpunim me organizata të tjera. Përparësi u jepet edhe kategorive sociale dhe familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike.
Ndërkohë, për mekanizmin bujqësor kërkohet që aplikuesit të kenë traktor funksional dhe tokë të mjaftueshme të punueshme, e cila do të verifikohet nga komisioni përkatës.
Afati për aplikim ka nisur më 30 mars 2026 dhe do të zgjasë deri më 7 prill 2026, në ora 16:00. Dokumentacioni duhet të dorëzohet fizikisht në zyrën e pritjes në Komunën e Malishevës, në formë origjinale dhe me një kopje.
Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë kërkesën e plotësuar, kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e bashkësisë familjare, dokumentin përkatës nga Administrata Tatimore si dhe dëshmi për rastet sociale, nëse aplikohet.
Autoritetet komunale bëjnë të ditur se aplikimet e pakompletuara ose të dorëzuara pas afatit nuk do të shqyrtohen, ndërsa secili aplikues ka të drejtë të aplikojë vetëm për një projekt.
Gjithashtu, fermerët që kanë aplikuar më herët në projekte të ngjashme përmes Islamic Relief Kosova do të kenë përparësi në shqyrtimin e aplikimeve, ndërsa ata që nuk kanë aplikuar më parë inkurajohen të përfshihen në këtë program mbështetës.





