“Kisha dikur një të bukur atdhe”, antologji e Romantizmit evropian
Antologjia e poezisë së Romantizmit evropian, “Kisha dikur një të bukur atdhe”, përgatitur nga profesor Osman Gashi, ka dalë nga shtypi. Në këtë libër janë përmbledhur 200 poezi të 49 autorëve të njohur evropianë dhe amerikanë, të përkthyera nga dhjetëra përkthyes shqiptarë, në një hark kohor rreth një shekull.
Parathënia e profesor Osman Gashit shpalos jo vetëm historikun e epokës së Romantizmit, por edhe thelbin filozofik, estetik dhe emocional të kësaj lëvizjeje. Gashi argumenton se romantizmi nuk është vetëm një fenomen letrar i shekullit XIX, por një ndjeshmëri që kapërcen kohën dhe hapësirën, duke reflektuar pasionin, nostalgjinë, përjetimet e thella shpirtërore dhe raportin e njeriut me natyrën dhe botën.
Një dimension i veçantë i antologjisë është trajtimi i natyrës si një element themelor i poezisë romantike. Duke analizuar disa prej poezive të kësaj antologjie, Gashi tregon se si natyra, në veprat e Lamartinit, Bajronit, Pushkinit, Shelit dhe poetëve të tjerë, shërben jo thjesht si sfond, por si pasqyrë e botës së brendshme të njeriut, duke reflektuar gjendje shpirtërore, nostalgji për të kaluarën, melankoli dhe ëndrra utopike.
Profesor Osman Gashi jo vetëm mblodhi përkthime poezish të autorëve të letërsisë botërorë nga përkthyesit më të mirë shqiptarë, por edhe e pajisi librin me vështrim kritik, duke shpjeguar kontekstin historik, social dhe estetik të poezive të përfshira në antologji. Prandaj, lexuesit shqiptarë me këtë libër kanë mundësi të mësojnë për zhvillimet dhe idetë kyçe të romantizmit evropian, duke përfshirë ndikimet e Revolucionit Francez, filozofinë e Rusoit, Shlegelit, Novalisit dhe të tjerëve.




