“KRIMI QË PASHË ME SYTË E MI”

03 prill 2026 | 11:27

Ditarët e luftës si dëshmi historike dhe personale (1998-1999), të Teuta Hadrit

Saime Isufi, Zvicër, mars 2026

Me anë të këtij shkrimi, vlerësim rreth dy vëllimeve në formë ditari: “Krimi që pashë me sytë e mi” mëtoj  ta prezantoj figurën e një gruaja që nuk ndaloi kurrë dhe ishte pjesë e kontributit për çështjen e Atdheut në të gjitha etapat, e quajtur Teuta Hadri. Po përmend këtu tri gra të jashtëzakonshme: të cilat dhe secila në mënyrën e saj kanë luftuar për liri, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kosovës: Shotë Galica, Xhevë LLadrovci dhe Teuta Hadri. Dy nga këto gra ishin drenicake dhe dhanë jetën për atdhe me pushkë në dorë, duke u bërë simbole të guximit dhe sakrificës dhe sot janë heroina të Atdheut, ndërkaq e treta, Teuta Hadri, që është nga Gjakova, është heroinë e gjallë mes nesh dhe ajo që lidhi brezat. Si i lidhi? Teuta i dha Xhevës librin mbi jetën dhe veprën e Shotë Galicës. Ky akt simbolik: Teuta tek Shota, Shota tek Xheva, tregon se historia e grave shqiptare frymëzon dhe përcillet brez pas brezi.

Sa herë që e përmend emrin e Teuta Hadri, më del përpara imazhi i asaj vajze të re, me flokë të kuqe dhe fytyrë pikaloshe, të cilën e takova për herë të parë në verën e vitit 1979, në Prishtinë, në kohën e veprimtarisë së fshehtë atdhetare.

Që nga ajo kohë e deri më sot, Teuta Hadri qëndroi në ballë të proceseve më të rëndësishme në shërbim të atdheut: si organizatore e formimit të celulave  me bijat dhe bijtë më të mirë të popullit; si një ndër organizatoret dhe pjesëmarrëset aktive në të gjitha demonstratat e vitit 1981 e më vonë; si e burgosur politike, si pjesëmarrëse aktive në rolin e mjekes e gjinekologes në frontet e luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe pas çlirimit të vendit, si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Nëse shumë prej nesh, në periudha të caktuara ndaluam, u tërhoqëm apo iu përkushtuam obligimeve familjare, Teuta Hadri nuk u tërhoq asnjëherë. Ajo mbeti e palëkundur në angazhimin e saj, duke u shndërruar kështu në një simbol të gruas veprimtare, të guximshme, të paepur dhe të përkushtuar ndaj lirisë dhe shtetndërtimit.

Teuta Hadri, si mjeke dhe gjinekologe, nuk pati fëmijë të saj, por ndihmoi mijëra gra të sillnin në jetë fëmijë para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Në rrethana të rënda, shpeshherë pa kushte minimale, ajo ishte pranë nënave në momentet më të ndjeshme të jetës së tyre. Kështu, fëmijët e saj u bënë fëmijët e Kosovës.

Këtë paraqitje për figurën e Teutës e bëra me qëllim që të mos ia lëmë harresës figurën e një gruaje të veçantë dhe të rrallë si Teuta Hadri.Ajo përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të angazhimit, sakrificës dhe përkushtimit të gruas shqiptare në shërbim të Atdheut.

Gjatë këtyre ditëve kam lexuar dhe studiuar me vëmendje dy vëllimet e ditarëve të luftës, të Teuta Hadrit, të mbajtur gjatë luftës së Kosovës. Gjithashtu gjatë leximit të tyre, më është kujtuar ditari   Ana Frank, shtëpinë muze të së cilës kam patur rastin ta vizitoj dhe më lindi pyetja:

Ku qëndron lidhja e ditarit të Teuta Hadrit me ditarin e Ana Frank?

Ditari i Teuta Hadrit, ashtu si ditari i Ana Frank, përbën një dëshmi të drejtpërdrejtë të historisë së shkruar nga përjetimi personal. Të dyja veprat lindin në kohë lufte dhe burojnë nga nevoja për të dëshmuar të vërtetën, por ato dallojnë thellësisht në këndvështrimin dhe rolin e autores në këtë realitet historik. Ana Frank shkruan nga fshehja, si një vajzë e re e këcënuar nga shfarosja, pa mundësi për të kontribuar në rrjedhën e ngjarjeve. Ndryshe nga Ana Frank, Teuta Hadri nuk është vetëm dëshmitare por pjesëmarrëse aktive e historisë. Si mjeke gjinekologe dhe ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo e përjeton luftën nga epiqendra e saj, duke u përballur drejtpërdrejt me dhunën, krimin dhe vuajtjen njerëzore.

Ditari i Ana Frank dhe i Teuta Hadrit janë dy forma të së njëjtës dëshmi historike: njëra na flet për pasojat shkatërruese të urrejtjes dhe diskriminimit, tjetra për fuqinë e qëndresës dhe sakrificës për liri. Ato na mësojnë se historia nuk shkruhet vetëm nga fituesit, por edhe nga ata që guxojnë të dëshmojnë të vërtetën.

Mbi bazën e dëshmive të Teutës në ditar, kam përgatitur kumtesën me titull: «Mes plumbave dhe kujtimeve», të cilën kam nderin ta paraqes sot para jush.

«Krimi që pashë me sytë e mi», ditar lufte (1998-1999)

Dy vëllimet e ditarëve të luftës të Teuta Hadrit nuk janë thjesht libra; ato janë plagë të shkruara, faqe që mbajnë peshën e dhimbjes, frikës dhe qëndresës së një populli të tërë. Që nga kopertina e errët e përshkruar nga ngjyra e kuqe e gjakut dhe simboli i librit që digjet, lexuesi ndjen se po hyn në një hapësirë ku fjala nuk zbukurohet, por dëshmon.

Në faqet e këtyre ditarëve Teuta Hadri shkruan si njeri që ka parë krimin me sytë e vet, si mjeke që ka prekur plagën dhe si luftëtare që nuk është larguar nga rreziku. Çdo rresht mbart ankthin e përditshëm të luftës, krismat, ikjen, britmat e dhimbjes, por edhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar. Fjalët e saj nuk janë të zgjedhura për efekt letrar, por për nevojë morale: për të mos lejuar që e vërteta të heshtë. Vëllimi i parë (1998), pasqyron fillimin e errët të dhunës, kohën kur frika dhe pasiguria mbizotërojnë jetën e përditshme. «Shpresoj që ky ditar të jetë dëshmi për gjeneratat e ardhshme, nëse deri atëherë nuk do të jemi shfarosur krejt»[1], – do të shkruante Teuta në ditar.

Teuta pa krimet në masakrën e Likoshanit mbi familjen Ahmeti. E tmerruar nga ajo që pa përreth, për një çast nuk dinte se si të vepronte, përveçse të thoshte me zë të dridhur: «A keni nevojë për ndihmë? Jam mjeke, kam ilaçe…!»[2]. Kjo ishte përpjekja e saj e vetme për të shpëtuar jetë mes dhunës së pamëshirshme.

Ndërkohë forcat serbe vazhdonin zinxhirin e masakrave anembanë Kosovës: në Qirez, në Abrinë e Epërme mbi familjen Deliu, në Reçak dhe në Mejë. Ishin krime pa fund të përsëritura, që lanë pas vetëm dhimbje, gjak dhe shkatërrim. Terrori dhe dhuna ka shkruar Teuta, ka vazhduar në Shtërpcë, Ferizaj, Gjakovë, Klinë, Kaçanik, Podujevë e Mitrovicë…

Në ditar Teuta shkruan edhe për sulmet mbi familjet Jashari dhe Haradinaj: në Drenicë e Gllogjan. Pas sulmeve të ushtrisë serbe mbi familjen Jashari më 22 janar dhe 5 mars 1998 thotë ajo: «Familja Jashari e dha mesazhin: S’ka më poshtërim! Mjaft më shpirt robi!»[3] Duhet theksuar edhe guximin që pati ajo, kur jeta ishte në fije të perit, për vizitën nga të parët dëshmitarë në familjen e vrarë e të masakruar Jashari, si dhe intervistën e dhënë në Euro News.

 

Teuta në shërbim të popullit në radhët e UçK-së

Teuta në ditarin e saj do të shpërfaqë hapur gëzimin: «Isha krenare që u ftova të jem anëtare e Zyrës Politike të Ushrisë sonë Çlirimtare, krah Adem Demaçit…Në krah të Adem Demaçit isha zgjedhur edhe më herët anëtare e KMLDNJ, më 1990»[4]. Ky moment përfqësonte një vlerësim të lartë të angazhimit të saj politik dhe atdhetar në një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë.

Një  tjetër gëzim i madh i saj ishte pranimi si mjeke në zonën e Karadakut, të cilin ajo e përjetoi si një kulm të shërbimit të saj ndaj popullit. Këtë gëzim do ta shprehte me fjalët: «Nga e gjithë jeta në shërbim të popullit tim, kjo ishte prej ditëve më të veçanta»[5].

Gëzimi i Teutës dhe forca e rezistencës në Drenicë

Teuta Hadri do ta shprehte gëzimin dhe forcën shpirtërore nga lajmet për luftimet në Drenicë, duke shkruar në ditarin e saj: «…rezistencë në luftë bënin Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe ushtarët e tyre  për të mbajtur pozicionet. Kjo më jep forcë. U ngrita në këmbë dhe thashë: «Zgjohu, moj zgjohu! Ata po luftojnë ballë për ballë me armikun!»[6].

Në këta rreshta shpaloset jo vetëm krenaria e sa për  Xhevën dhe Fehmiun , por edhe ndjenja e përkatësisë dhe solidaritetit, sepse siç shënon ajo, ndjehej krenare që në luftë kishte  edhe shokët e saj  të bashkuar në të njëjtin ideal për liri si: «Jakupi, Rama,Ferati, Sokoli, Ganiu, Berati, Shemsiu, Ahmeti e të tjerë, ish të burgosur politikë. Këta janë burra që nuk dorëzohen…!»[7].

Shtëpia e Teutës dhe e Ilmiut strehimore për të përndjekurit nga zonat e luftës

Sipas asaj që lexojmë në ditar, shtëpia e Teutës dhe Ilmiut u shndërrua në strehë për të përndjekurit nga zonat e luftës. Edhe pse jeta e saj ishte vazhdimisht në rrezik, si veprimtare, si ish e burgosur dhe se jetonte në kryeqytet, nuk hezitoi të hapte dyert për ata që kërkonin mbrojtje dhe shpëtim, duke u ofruar jo vetëm strehim, por edhe përkujdesje të veçantë njerëzore dhe mjekësore. Në shtëpinë e saj ajo strehoi edhe Drita Vulën, e larguar nga spitali i luftës ku shërbente, si dhe Salën me fëmijët e saj, në një kohë kur bashkëshorti i Salës ndodhej në frontin e luftës. Pikërisht aty, me ndihmën profesionale të Teutës, Sala solli në jetë fëmijën e saj. Perveç këtyre që përmenda, Teuta strehoi edhe të tjerë persona të përndjekur në shtëpinë e saj.

Dhimbja e rënies dhe plagët e gjenocidit

Rënia në frontet e luftës e Ardian Krasniqit, Xhevë e Fehmi Lladrovcit, Jetë Hasanit, vëllezërve Gursel e Bajram Sylejmanit, Elton Zherkës dhe Ganimete Gjylanit e tronditin thellë Teuta Hadrin.Humbja e këtyre luftëtarëve të lirisë përbënte një dhimbje shpirtërore për të .

Megjithatë, në ditarin e saj, Teuta do të shkruante se përtej dhimbjes për rënien e tyre, atë e mundonte shumë edhe tragjedia kolektive e popullit të saj. «Më mundonte nxjerrja e popullit tim nga shtëpitë…»[8]. Shpërngulja dhe dëbimi i dhunshëm i popullsisë civile, sipas saj përbën një akt të pastër gjenocidial, që lë plagë të thella jo vetëm në jetën e individëve, por në vetë ndërgjegjen kombëtare.

Teuta në uniformën e UÇK-së si ushtare mjeke

E lumtur deri në kulm, e veshur me uniformën e UçK-së, Teuta do të shënonte në ditarin e saj më 12 dhjetor 1998: «Sot ishte një ditë e veçantë në jetën time. U formua Shtabi i UCK-së i Zonës së Karadakut…U pranova si ushtare mjeke në shtabin e zonës. Nga gjithë jeta ime në shërbim të popullit tim, kjo ishte ndër ditët më të veçanta». Dhe …»Ose do të rrija duke pritur vdekjen te pragu i shtëpisë, ose të dilja në mal për të luftuar…»[9].

Kjo ditë ishte kurorëzimi i një rruge të nisur në kohë dhimbjeje dhe sakrifice që nga masakra e Likoshanit dhe flijimit heroik i familjes Jashari. Që nga ato momente Teuta kishte zgjedhur të jetë në anë të luftës për liri, duke vënë dijen dhe përkushtimin e saj në shërbim të UçK-së.

Edhe pse më herët ishte emëruar anëtare e Zyrës politike të UCK-së, pranë heroit të rezistencës, Adem Demaçi, pranimi si ushtare mjeke kishte domethënie të veçantë. Ishte përballje e drejtpërdrejt me realitetine luftës, aty ku çdo jetë e shpëtuar ishte fitore dhe çdo sakrificë ishte betim. Uniforma që veshi atë ditë, nuk ishte thjesht veshje ushtarake, por përgjegjësi, dinjitet dhe vendosmëri për t’i shërbyer atdheut në orët e tij më të vështira.

Krenaria dhe emocionet e asaj dite mbetën të pashlyeshme, një faqe ditari që dëshmon se liria shkruhet edhe me zemër, edhe me guxim edhe duke i shërbyer asaj.

Nata e fundit e një viti pa liri

Gjatë gjithë vitit 1998, Teuta kishte shërbyer në maternitetin «Nënë Tereza», aty ku jeta vinte edhe në kohët më të errëta. Në faqen e fundit të ditarit të saj të atij viti, ajo do të shkruante këta rreshta si përmbyllje e heshtur, por e thellë e një viti lufte: «Natën e Vitit të Ri do ta prisja me ekipin që ishte në kujdestari atë natë. Të gjitha mamitë ishin të zonja në përgatitje, por Shpresa Shala dallonte për përkushtimin në përgatitjen e ushqimit»[10].

Në festë ishin ftuar edhe lehonat , gra të ardhura nga zonat e luftës, dra që kishin sjellë jetë në një botë mes pasigurisë, frikës dhe dhembjes. Atmosfera ishte prekëse me buzëqeshje të përmbajtura dhe sy që flisnin më shumë se fjalët. Për disa orë, për disa çaste të rralla, po përpiqeshin gjoja të festonin, të krijonin iluzionin e një nate normale festive. «Sonte për pak orë po festojmë, por si do të na zërë mëngjesi i vitit tjetër, askush nuk e dinte…»

«Gëzuar Vitin e Ri! Vitin tjetër e festofshim në liri!»[11]

Ky urim i thjeshtë, i shkruar në fund të ditarit, nuk ishte vetëm dëshirë personale. Ishte lutje, ishte betim dhe ishte zëri i një populli të tërë. Me këtë shpresë mbyllet viti 1998, një vit dhimbjeje dhe qëndrese, ku jeta dhe lufta ecën krah për krah dhe ku besimi në liri mbeti gjallë, edhe në natën e fundit të vitit.

“Krimi që pashë me sytë e mi»

Ditar lufte viti 1999

Është libri i dytë, ditari në flakët e luftës, i Teuta Hadrit.

Përgatitjet për dalje në UçK, ishin të vazhdueshme, por Teutës i dilnin pengesa gjatë kësaj kohe, siç ishin strehimi në shtëpinë e saj dhe përkujdesja ndaj personave të rëndësishëm, ikur nga zonat e luftës.

Teuta, ditarin e saj të dytë, do ta fillojë me kujtime mbi hyrjen e forcave serbe në Podujevë dhe luftimet e UçK-së të udhëhequra nga komandant Remi.

«Një gëzim tjetër i madh,- shkruan Teuta,- m’u shtua sot kur dëgjuam zërin e Radio Kosova e Lirë, që u përhap në gjithë territorin e Kosovës. Me lot në sy dhe me dy grushta lart bërtita: “Bravo UçK!” Dy gëzime kaq të mëdha në një ditë, ka kohë që nuk i kam përjetuar prej kohësh. 4 janari 1999 mbeti datë historike, se nën tymin e barotit dhe minahedhësve, Shtabi i Përgjithshëm i UCK-së, hapi Radio Kosova e Lirë në fshatin Berishë të Gllogovcit”[12].

Teuta përshkruan takimet e Adem Demaçit me Majkon e ndërkombëtarët si Wesley Clark se “Beogradi nuk po i përmbahet marrëveshjes Hollbruk-Millosheviç, për tërheqjen e trupave nga Kosova, përkundrazi, po i shton dhe forcon ato.”[13]

Në ditarin e saj, Teuta shkruan me dhimbje dhe revoltë për dhunën sistematike dhe terrorin serb të ushtruar mbi shqiptarët, si dhe për  dëbimin e tyre të dhunshëm nga shtëpitë dhe trojet stërgjyshore. Fjalët e saj janë dëshmi e gjallë e një realiteti të pamëshirshëm, ku frika, dhuna dhe shkatërrimi u kthyen në përditshmëri. Për ta fuqizuar këtë rrëfim, ajo i referohet deklaratës së Jakup Krasniqit, zëdhënës i UçK-së: “Zgjidhja e çështjes së Kosovës, nuk varet vetëm nga UçK, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi. UçK është për zgjidhje politike dhe ka kërkuar që për këtë të punohet nga të gjitha palët. Nëse kjo zgjidhje nuk vjen në kohën e duhur, ne jemi të përgatitur të vazhdojmë luftën.”[14]

Zhgënjimet e Teutës me Evropën dhe lëvizjen pacifiste

Zhgënjimi i Teutës shfaqet i rëndë dhe pashmangshëm, si një përplasje mes shpresës së dikurshme dhe realitetit të pamëshirshëm të luftës. Në shënimet e saj, ajo flet me ndershmëri të dhimbshme, për besimin e thyer dhe pritjet e paplotësuara nga bota perëndimore. «Nuk kam menduar kurrë se Kosova do të hynte në vitin e dytë të luftës. Kam besuar se Bashkimi Evropian nuk do të lejonte që ajo të zgjaste kaq gjatë, duke e ditur armatosjen modeste të UçK-së dhe pabarazinë e skajshme, përballë forcave serbe…»[15]

Teuta si veprimtare e përkushtuar, shpreh hapur në ditarin e saj zhgënjimin e thellë ndaj politikës paqësore dhe pacifiste, e cila, sipas saj, e kishte mpirë popullin dhe e kishte vënë në gjumë përballë dhunës dhe padrejtësisë. Ajo e konsideron protesën e grave me bukë në dorë drejt Drenicës një farsë të dhimbshme, sepse Drenica, ashtu si e gjithë Kosova, nuk po vuante për bukë, por për liri. Ky keqinterpretim i nevojës reale të popullit vetëm sa thellonte boshllëkun mes realitetit të luftës dhe qasjeve të dështuara politike.  Në kontrast të plotë, dalja masive në protestën popullore para Hotel Grand në Prishtinë u kthye në dëshmi të qartë të ndërgjegjësimit kombëtar, duke vërtetuar dashurinë e popullit për Ushtrinë çlirimtare të Kosovës dhe shpresën e palëkundur që ai kishte varur te lufta çlirimtare si e vetmja rrugë drejt lirisë.

Zëri i botës dhe dëshmia e së vërtetës

Teuta ndalet në ditar edhe tek ndihma dhe vëmendja e ndërkombëtarëve, duke përmendur rolin e udhëheqëve perëndimorë si presidenti amerikan Bill Clinton dhe sekretarja e shtetit Madeleine Albright, Havier Solanës për paqe palëve ndërluftuese, të cilët u bënë zë i fuqishëm i mbështetjes për popullin e Kosovës. Ajo thekson rëndësinë e reagimit ndërkombëtar pas krimeve serbe, veçanërisht vizitën e shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, William Wolker, në vendin e masakrës së Reçakut. Kjo vizitë, shënoi një kthesë vendimtare, pasi e vërteta e krimit doli hapur para botës. Për Teutën, Reçaku u kthye në dëshmi të pakontestueshme të gjenocidit dhe në thirrje të fortë për ndërhyrje dhe drejtësi.

Krimet e forcave serbe gjatë bombardimeve të NATO-s dhe dëbimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre stërgjyshore

Sa më afër ndërhyrjes së NATO-s, aq më egërisht silleshin forcat serbe, duke ushtruar dhunë të paparë mbi popullatën shqiptare në fshatra dhe qytete. Me fillimin e bombardimeve, ato reaguan me një egërsi të shtuar: vrasje, masakra dhe shkatërrime u bënë mbi civilët dhe shtëpitë e shqiptarëve të pambrojtur. NATO godiste objektivat ushtarake, ndërsa forcat serbe hakmerreshin duke thyer çdo normë humanitare, shpesh duke thënë: ”Ku e keni NATO-n?!»

Përveç dhunës dhe terrorit, forcat sebe kryen edhe spastrim etnik sistematik, duke dëbuar shqiptarët nga shtëpitë dhe tokat e tyre. I largoi me dhunë qindra mijëra njerëz drejt Maqedonisë, është i njohur «Kampi i Bllacës», pastaj në Mal të Zi dhe Shqipëri. Ky eksod dhe spastrim etnik, shënon një kapitull tragjik në historinë e Kosovës, ku popullata civile u bë viktimë e një strategjie të qëllimshme, për të ndryshuar përbërjen etnike.

“Krimet, – shkruan Teuta,- pas Gjakovës, po vazhdojnë në Pejë…Dëshmitarët treguan se si i kishin ndarë burrat nga gratë…Krimet kanë vazhduar edhe në Drenicë. Në Poklek i kanë vrarë dhe pastaj djegur trupat e pesëdhjetë e pesë  vetave».

“Vendlindja thërret” – solidaritet dhe mobilizim për lirinë e Kosovës

Në faqen 246 të ditarit, Teuta do të shkruaj: “Sot mediat njoftuan  ngritjen e pikave të grumbullimit  të ushtarëve të UçK-së në Gjermani, Turqi, Norvegji  dhe shumë vende të tjera.» Shqiptarët në mbarë botën u përgjigjën me entuziazëm  ndaj thirrjes: «Vendlindja thërret», duke orfruar mbështetje, jo vetëm me armë, por edhe me ndihma finaciare.Ky mobilizim dëshmon dashurinë e thellë për atdheun dhe vendosjen e një lidhjeje të gjallë mes mërgatës dhe popullit të Kosovës, duke bërë që çdo kontribut të ndihmojë Ushtrinë çlirimtare të Kosovës, në luftë për liri.

Në rresht të ushtrisë, kujdes dhe rrezik në luftë

Lufta intensifikohej çdo ditë dhe Teuta ishte në çdo moment pranë ushtarëve të UçK-së duke ua lidhur plagët e lirisë. Ajo ndihmonte nënat shtatzëna në lindjen e fëmijëve në kushte lufte, duke sjellur jetë  mes rrënojave.

«Në luftë gëzimi zgjat vetëm me minuta,»[16] shkruan ajo, pasi ora 10.00 solli lajmin e tmerrshëm: Isa Kastrati me dy të plagosur kishin rënë në pritë të armikut. Zemra e Teutës ishte ngritur në fyt. çdo çast dukej se do të ishte i fundit. Për një fije floku shpëtoi nga vdekja. «Po të mos kishte thënë komandant Ademi: «ecni në këmbë, se jeni ushtarë, edhe unë do të isha vrarë sot., më 21 prill 1999», shënonte ajo me një dridhje të thellë. Cdo hap në ato çaste, ishte një betejë mes jetës dhe vdekjes, dhe Teuta e pëtjetonte këtë realitet me guxim dhe heroizëm të papërshkrueshëm.

Ditët e humbura të luftës

E enjte, 23 prill 1999

«U detyrova t’i numëroja me gishta ditët dhe të gjeja cila ditë është, për ta shkruar në ditar. Pothuaj shtatë ditë granatime, luftime, më dukej se çdo gjë ishte fshirë nga koka… Por një gjë e dija me siguri: që prej betejës së Marevcit, më 18 prill 1999, e deri sot, kisha shkruar pak, me hapësira mes rreshtave, pa e shënuar ditën, sepse nuk e dija më se çfarë dite ishte»[17]. Cdo ditë kishte humbur në errësirën e luftës, duke lënë vetëm frikën, zhurmën e armëve dhe pasigurinë e vazhdueshme.

Dhimbja për vendin e lindjes, të rritjess, por edhe dhimbja për gjithë Kosovën

Teuta shkruan me dhimbje të thellë për qytetin e saj të lindjes dhe të rritjes, teksa lajmet që arrijnë nga terreni e tronditin shpirtërisht. «Në Gjakovë janë vrarë dyqind veta, ndërsa në Llap njëqind e pesëdhjetë shqiptarë», shënon ajo. «Flitej se njëqind e njëzetë persona mbaheshin ende nga forcat serbe, pa asnjë informacion për fatin e tyre»[18].

Ankthi bëhet edhe më i rëndë kur Teuta përmend fatin e panjohur të grave dhe vajzave të rrëmbyera nga Drenica, të mbajtura për disa ditë në Llaushë. «Flitej se i kishin vrarë, disa me armë, disa duke i hedhur në puse, e disa të përdhunuara”[19], shkruan ajo e tmerruar. Këto rrëfime i zgjojnë një frikë të thellë: se i njëjti fat i zi mund t’u ndodhte edhe grave dhe vajzave të Llapit.

E përballur me dhunën dhe terrorin e ushtruar nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, Teuta, e dëshpëruar, më 8 prill 1999 do të shkruante në ditarine saj: «Sikur të mos ishte ky ditar, do të isha çmendur nga krimet që po bëjnë serbër»[20].

Lajmi që dëgjoi atë ditë e goditi Teutën si një plagë e re mbi plagët e pambyllura të luftës. Masakra në Pejë, më e madhja që nga fillimi i luftës, nuk ishte më vetëm një fjalë e tmerrshme që qarkullonte mes njerëzve, por një dëshmi tjetër e shfarosjes sistematike që i bëhej popullit të saj. Emrat e fshatrave: Reka e Keqe, Juniku, Lugu i Caragojës, Vokshi, Deçani, nuk ishin më thjesht vende në hartë, por hapësira dhimbjeje, ku jeta ishte shkelur pa mëshirë. Në mendjen e saj shfaqen pamje të njerëzve të nxjerrë me dhunë nga shtëpitë, të grumbulluar si turmë e pambrojtur, të shtyrë drejt një rruge pa kthim. Kolona e gjatë e refugjatëve, që zgjatej për kilometra të tëra drejt Shqipërisë, i dukej si një procesion zie, ku çdo hap ishte i rënduar nga frika, pasiguria dhe humbja. Më e tmerrshme ishte ndarja e meshkujve nga 15 deri 75 vjeç, një ndarje që ajo e ndjen si një dënim me vdekje të shpallur në heshtje, e cila kishte ndodhur. Masakrat në Korenicë e Mejë i rëndonin shpirtin si një barrë e padurueshme, duke ia shtuar dhimbjen, por edhe vendosmërinë për të mos heshtur.[21]

Mes dyshimit dhe betimit: doktoresha që nuk u largua nga frontet e luftës

Teuta do të shkruante edhe për dezertimin e disa mjekëve, pikërisht në kohën kur të plagosurve u duheshin më së shumti. Ky lajm e tronditi dhe e hutoi. Qarkullonte një zë i rremë, sipas të cilit gjoja komandant Remi kishte dhënë urdhër që mjekët të largoheshin nga frontet e luftës. Teuta nuk mund ta pranonte këtë version, por e vuri në dyshim. Dyshimet e saj ishin të forta. Ajo pyeste veten: si është e mundur kjo? Kujt po ia lëmë të plagosurit? A mund të bëjmë ne, mjektë, një gjë të tillë? E trazuar, por e vendosur, ajo kthehet nga kolona, në shtab, për të kuptuar të vërtetën. Kërkon të takojë komandant Remin. Sapo e pa, ai i tha me një ton respekti dhe mirënjohjeje: «Më pëlqen që u ktheve doktoreshë!»[22]. Teuta i rrëfeu gjithçka kishte dëgjuar dhe shqetësimin për fatin e të plagosurve. Komandant Remi e dëgjoi me kujdes dhe më pas  iu përgjigj: «Kam dëgjuar se disa mjekë po largohen, por unë nuk mund t’i ndaloj me forcë»[23]. Këto fjalë të komandantit ia focuan vendimin për të qëndruar në luftë. Ajo e kuptoi se qëndrimi në luftë nuk ishte vetëm urdhër apo detyrim, por zgjedhje personale dhe morale. Për të, largimi nuk ishte  alternativë. Përballë rrezikut, frikës dhe pasigurisë, ajo zgjodhi të qëndronte pranë të plagosurve, aty ku ndjente se e thërriste ndërgjegjja dhe betimi i saj si mjeke. Teuta qëndroi, sepse për të, jeta e luftëtarit të lirisë, vlente më shumë se siguria personale.

Familja e Muratit në Popovë e tëra në shërbim të luftës

Teuta do të përshkruante edhe pritjen në Popovë nga familja e Muratit, një pritje që nuk harrohet lehtë, sepse nuk ishte thjeshtë mikpritje, por një akt i thellë respekti dhe solidariteti. Gra e burra e rrethonin me ngrohtësi dhe e trajtonin në mënyrë krejt të veçantë. Fjalët e tyre i mbetën të gdhendura në kujtesë: «Ty të kemi nga Gjakova, je mysafirja më e nderuar!»[24]

Në atë shtëpi dera nuk mbyllej kurrë për luftëtarët e lirisë. Familja e Muratit ishte e gjitha në shërbim të luftës: njëri siguronte ushqimin, tjetri strrehën, një tjetër lajmin apo rrugën e sigurt. Gratë punonin pa u lodhur, përgatisnin bukën dhe kujdeseshin për të plagosurit, ndërsa burrat mbanin lidhjet, rrezikonin jetën dhe qëndronin vigjilentë. Teuta e ndjeu se në atë familje nuk ishte thjesht mysafire, por pjesë e një familjeje që kishte vendosur t’i falte gjithçka lirisë. Në atë shtëpi, frika mposhtej nga besimi dhe sakrifica nga dashuria për atdheun.

Mes flakëve dhe qetësisë, një pushim përballë vdekjes

Lajmet që mbërrinin ishin të hidhura dhe therrëse. Vrasje civilësh dhe luftëtarësh të lirisë në Kralan, pikërisht aty ku Teuta kishte punuar si mjeke, aty ku kishte prekur plagët dhe shpresat e njerëzve. Familja e Sharbanëve kishte strehuar të plagosurit dhe pa hezitim Teuta u nis drejt Sharbanës për t’u dhënë ndihmën mjekësore atyre që kishin mbetur mes jetës dhe vdekjes.

Por lufta nuk jepte kohë as për frymëmarrje. Pas pak vjen lajmi edhe më tronditës: forcat serbe kishin hyrë në Popovë, më pas në Majec, duke djegur shtëpi e duke shkatërruar gjithçka. Për këtë ngjarje, Teuta shkruan me dhimbje:”Më dhimbsej shtëpia ku qëndroi shtabi”. Ishte një dhimbje që nuk matej me mure të djegura, por me kujtime, vendime dhe sakrifica që kishin marrë formë brenda atyre mureve.

Edhe në Sharban, Teuta nuk mund të qëndronte gjatë. Rrethanat e detyruan të tërhiqej, për t’u kthyeer sërish, atje ku kishte më shumë nevojë për të, tek të plagosurit.

Në një moment të rrallë qetësie, ajo shkruan për një përjetim, që nuk e kishte njohur më pare. E shtrirë në një lëndinë, për pak pushim, ndjeu diçka të çuditshme dhe të thellë pajtim me vdekjen.

“Ishte hera e parë, – do të shkruante Teuta, -që pajtohesha me vdekjen. Isha aq e lumtur sa edhe po të më vrisnin, nuk do të lëvizja nga ky vend kaq i bukur. Zhurma e zogjve më sillte kënaqësi dhe uji i kroit më sillte freski”[25]. Në mes të luftës, zjarrit dhe shkatërrimit, ajo gjeti një çast paqeje, një çast që s’ishte dorëzim, por qetësi e thellë shpirtërore. Ishte pushimi i një njeriu që kishte dhënë gjithçka dhe që përballë vdekjes, kishte mësuar të shikonte jetën me një dritë edhe më të pastër.

Sulmi nga forcat ajrore në burgun e Dubravës e tronditi thellë Teutën. Ajo do të shkruante me dhimbje e trishtim për këtë ngjarje, sepse e dinte se brenda atyre mureve ndodheshin bashkëveprimtarë të saj, ish-të burgosur politikë. Emrat e tyre i silleshin në mendje: Bajrush Xhemaili, Enver Topalli, Xhavit Haziri, Nait Hasani, Avdullah Tahiri e shumë të tjerë, të cilët nuk ishin thjesht të burgosur, por dëshmitarë të gjallë të rezistencës shqiptare.

Drejtësia që ndezi shpresën

“Është ditë për të festuar”[26], do të shkruante Teuta. Tribunal i iHagës shpalli Sllobodan Millosheviqin kriminel lufte. Jo vetëm për Teutën, por  për të gjithë shqiptarët, ky lajm ishte i gëzueshëm dhe shpresëdhënës. Mes rraskapitjes, humbjve dhe plagëve ende të hapura, ky lajm solli shpresë. Ishte një moment kur dhimbja nuk u harrua, por u shndërrua në besim se drejtësia, sado vonë, vjen një ditë.

Kthim në zonën e betimit

Teuta, nga zona e Llapit, në marrëveshje me Ilmiun, bashkëveprimtarin dhe bashkëshortin e saj, vendosi të shkojë në zonën e Karadakut. Kishin muaj që nuk ishin takuar dhe as telefonuar Teuta me Ilmiun, për shkak të intensitetit të luftës, pasi Ilmiu ndodhej në Shtabin e Përgjithshëm të UCK-së. Vendimi për këtë lëvizje ishte  i përbashkët, i menduar mirë, lidhur me nevojat e luftës dhe me bindjen e thellë për t’i shërbyer asaj kudo që kërkohej. Teuta do të shkruante: “Karadaku është zona ime. M’u kujtuan ditët e mira dhe të vështira të kohës në zonën e Gollakut dhe Llapit”[27]. Gjatë rrugës, ajo ndalon në Mramor, në shtëpinë e Sadik Makollit, e cila ishte vënë në shhërbim të luftës. Sadiku kishte folur me respekt të thellë për heroin Rexhep Malaj, bashkëveprimtar i Teutës, duke kujtuar kohën kur Rexhepi kishte punuar si mësimdhënës në Marec. Duke njohur energjinë, vendosmërinë dhe forcën luftarake të Rexhepit, Sadiku do të thoshte me dhimbje dhe admirim: “Eh, kjo ditë ishte për Rexhepin. Humbje e madhe që ai nuk është në këtë luftë si komandant i saj”[28].

Pas një rruge të vështirë plot shtigje në këmbë, Teuta do të takonte  Shemsi Sylën, komandant Rexhën, Ahmet Isufin, ish i dënuar politik dhe bashkëveprimtar i heroit Nuhi Berisha. Takimi me të ishte dëshmi e vazhdimësisë së rezistencës, e një lidhjeje të pashkëputshme mes brezave të qëndresës, që nga burgjet politike deri në frontet e luftës për liri.

8 qershor 1999: dita kur vdekja ecte me hapat e tyre

8 qershori i vitit 1999 erdhi gati me fatalitet për Teutën dhe bashkëluftëtarët e saj. Ajo do të  shënojë në ditarin e saj se komandant Rexha ishte nisur për në Marec. Shtigjet ishin jashtëzakonisht të vështira për t’u kaluar, prandaj ai e kishte këshilluar Teutën të qëndronte në një bazë me ushtarët, duke i porositur të gjithë të tregonin kujdes të shtuar. Para se të nisej, komandant Rexha u tha:» Sot fillon tërheqja e plotë e forcave serbe. Në tërheqje e sipër, ata zbrazin gjithë arsenalin e armëve. Kini kujdes, mos lëvizni shumë!”[29]. Fjalë paralajmëruese, që shumë shpejt do të merrnin kuptim të frikshëm. Papritur shtëpia ku qëndronte Teuta u rrethua nga forcat serbe. Pa kohë për t’u menduar, ajo u hodh nga kati i dytë. Duke u rrokullisur arriti deri te një arë me grurë. Forcat serbe vazhduan ndjekjen, ndërsa ushtarët që ishin me Teutën u përballën me ta në luftë të drejtpërdrejtë. Teuta vraponte e binte dhe vazhdonte duke u zvarritur, pa ditur saktësisht nga po shkonte. Plumbat e vërshëllenin pranë trupit. «Plumbat më shponin pantallonat…»[30] do të shkruante ajo. Zvarritja vazhdonte për të shmangur goditjen fatale. Më në fund dolën në mal. Ushtarët serbë nuk i ndiqnin më. Qetësia që pasoi ishte e rëndë dhe e frikshme. Në mendjen e Teutës jehonin ende fjalët e ushtarëve serbë: «ubij!» Teutën do ta godiste rënia në këtë betejë e ushtarit Enver Miftari. Atë natë vendosën të flinin në mal, me bindjen se mund të ishin ende të rrethuar. U nisën në drejtim të komandant Rexhës., duke e ditur se kishin kaluar për një vijë të padukshme mes jetës dhe vdkjes dhe se kishin mbijetuar vetëm për të vazhduar dëshminë e asaj lufte.

Marshi i lirisë në Gjilan, më 15 qershor 1999

Ditari i Teutës përfundon me marshimin e saj dhe të bashkëluftërave, fitimtarë përmes qytetit të Gjilanit. Hapat e tyre jehonin në rrugët e qytetit si një dëshmi e gjallë e sakrificës. Populli i Gjilanit i priti me brohoritje që dilnin nga thellësia e shpirtit: “Fitore! UçK! UçK! Fitore!”

Zërat ishin bashkuar në në thirrje të vetme, ku gëzimi përzihej me lot dhe krenaria me kujtimin e atyre që nuk ishin më. Flamujt falëviteshin, duart shtrëngoheshin. Ishte festa e lirisë, por edhe një homazh i heshtur për sakrificën. Teuta marshonte mes tyre me zemrën plot. Në atë ditë lufta mbaroi, por kujtesa filloi. Dhe liria më në fund ecte mes njerëzve, ajo liri për të cilën Teuta shkriu jetën e saj.

[1] Krimi që pashë me sytë e mi (1998), Faqe 17

[2] Po aty, Faqe 25

[3] Po aty, Faqe 38

[4] Krimi që pashë me sytë e mi (1998), Faqe 213

[5] Po aty, Faqe 291/292

[6] Po aty, Faqe 242/243

[7] Po aty, Faqe 243

[8] Krimi që pashë me sytë e mi (1998), Faqe 267

[9] Po aty 291/292

[10] Krimi që pashë me sytë e mi (1998), Faqe 304

[11] Po aty, Faqe 305

[12] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 11

[13] Po aty, Faqe 14

[14] Po aty, Faqe 16

[15] Po aty, Faqe 21

[16] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 281

[17] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 283

[18] Po aty, Faqe 289

[19] Po aty, Faqe 289

[20] Po aty, Faqe 227

[21] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 299

[22] Po aty, Faqe 302

[23] Po aty, Faqe 303

[24] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 306

[25] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 334

[26] Po aty, Faqe 351

[27] Krimi që pashë me sytë e mi (1999), Faqe 363

[28] Po aty, Faqe 368

[29] Po aty, Faqe 377

[30] Po aty, Faqe 379

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se…