Robert Rrahmani zgjidhet “Ylli i Javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës – “Albi Mall”, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit vendor.
Për javën e 27-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Robert Rrahmani, i cili ka shënuar golin e parë për skuadrën e tij në fitoren e rëndësishme si mysafirë kundër Prishtinës së Re, me rezultat 2-1.
Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Debatik Curri ka bërë një hap të madh drejt objektivit për të siguruar njërën nga pozitat që dërgon në Evropë. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, teksa pas ka marrë këtë çmim, Rrahmani është shprehur i lumtur që është shpallur lojtari më i mirë i javës.
“Trajneri dhe stafi e kanë përgatitur ndeshjen në maksimum, duke mos e nënvlerësuar Prishtinën e Re për shkak të tabelës. Lojtarët i kanë zbatuar këshillat e trajnerit në maksimum. Fitorja ka qenë shumë e vlefshme, pasi synimi i klubit është arritja e objektivave dhe dalja në Evropë, dhe me këtë fitore jemi brenda objektivave.. Këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve, stafit dhe familjes sime, pasi edhe ata kanë merita që unë sot e fitoj çmimin ‘Lojtari i Javës’”, ka thënë Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.



