Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Eliot Engel
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka dërguar telegram ngushëllimi për popullin amerikan dhe shqiptar pas ndarjes nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel.
Në telegramin e publikuar përmes përfaqësive diplomatike të SHBA-së në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, si dhe nëpërmjet mediave, shprehet pikëllimi i thellë për humbjen e një miku të madh të shqiptarëve dhe një zëri të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Telegram ngushëllimi i plotë:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI POPULLIT AMERIKAN DHE POPULLIT SHQIPTAR
Nëpërmjet përfaqësive diplomatike të SHBA-së në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup dhe nëpërmjet mediave
Gjenevë, 11 prill 2026
Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar qytetarë,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Kongresmenit amerikan Eliot Engel.
Në këto çaste zie, shprehim ngushëllimet më të sinqerta popullit amerikan dhe sidomos qytetarëve të New Yorkut, të cilin e përfaqësoi për 16 mandate rresht në periudhën 1989-2021.
Në të njëjtën kohë ngushëllimet tona të thella u shprehim të gjithë shqiptarëve anekënd globit, të cilët humbën një mik të madh, një mbështetës të palëkundur dhe një zë të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime.
Kontributi i tij i çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shqiptarëve, si dhe angazhimi i tij i vazhdueshëm për drejtësi, paqe dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ballkan, do të mbeten përherë të paharruara.
NE NUK HARROJMË faktin se Kongresmeni Eliot Engel ishte ndër zërat më të vendosur në dënimin e krimeve dhe padrejtësive, përfshirë edhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, duke qëndruar gjithmonë në anën e së drejtës dhe së vërtetës.
Trashëgimia e tij politike dhe njerëzore do të jetojë gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që besojnë në lirinë, dinjitetin dhe drejtësinë.
U prehtë në paqe.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
Bardhyl Mahmuti, Kryetar
Adnan Asllani, Zëvendëskryetar



