Po qarkullojnë disa sëmundje njëkohësisht në Zvicër
Nëse të duket se shumë njerëz rreth teje janë të sëmurë këto ditë, nuk je i vetmi.
Ekspertët thonë se aktualisht po qarkullojnë disa sëmundje njëkohësisht, duke rritur ndjeshëm rastet e infeksioneve.
Sipas raportimeve në Zvicër, një numër i madh sëmundjesh ngjitëse – përfshirë gripin, ftohjet sezonale dhe infeksione të tjera – janë në rritje dhe në disa raste kanë tejkaluar nivelet para pandemisë, transmeton albinfo.ch.
Kjo situatë lidhet me qarkullimin e njëkohshëm të viruseve respiratore si gripi, RSV dhe infeksione të tjera, që zakonisht shfaqen në sezonin e ftohtë.
Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se sezoni i gripit këtë vit mund të jetë ndër më të fortët, me rritje të vizitave te mjekët dhe rasteve të infeksioneve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shumica e rasteve janë të lehta dhe nuk ka arsye për panik, por rekomandohet kujdes i shtuar, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Autoritetet këshillojnë masa bazike si higjiena e duarve, shmangia e kontakteve kur jeni të sëmurë dhe vaksinimi, për të reduktuar përhapjen e infeksioneve./Albinfo.ch



