Muriqi, rival i Mbappes për “Pichichi”
Kylian Mbappe 23 gola, Vedat Muriqi 21 kurse të tjerët 15 e më pak. Shtatë xhiro para fundit të sezonit në La Liga, gara për trofeun e golashënuesit më të mirë pritet të zhvillohet mes superyllit të Real Madridit, Mbappe dhe yllit të Mallorcas, Muriqit.
Megjithatë, prioritet për Muriqin është ta ndihmojë Mallorcan të mbetet në La Liga, por edhe gara për trofeun “Pichichi”, që i ndahet golashënuesit më të mirë në kampionatin spanjoll, e motivon.
“Gjithnjë kam thënë se ai nuk është rivali im, pasi Mbappe duket që është nga një botë tjetër. Por nëse vazhdojë kështu deri në fund, qartë se është e mundur”, ka thënë Muriqi.
31-vjeçari ka falënderuar Zotin që nuk ka pasur lëndime këtë edicion, ndonëse kishte shumë ndeshje si me Mallorcan ashtu edhe me Kosovën.
Ka treguar se ka punuar më shumë në dobësitë fizike që i ka, ndërsa ka pranuar se është i vendosur ta përfundojë karrierën te Mallorca, edhe nëse merr oferta gjatë verës.



