Qëllimi i tryezës ishte shkëmbimi i përvojave dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e prokurimit publik. Gjatë diskutimeve, Spanca prezantoi rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e sistemit të prokurimit përmes gjetjeve dhe rekomandimeve, duke theksuar nevojën për zbatim më të madh të tyre dhe koordinim më të ngushtë institucional.
Ajo vuri në pah se prokurimi publik është një ndër fushat kryesore të menaxhimit të financave publike, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
“Afër 1 miliard euro të buxhetit kalojnë përmes këtij procesi dhe nga to varet mirëqenia e qytetarëve, infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi”, deklaroi Spanca.
Në kuadër të tryezës, auditorja Laureta Matoshi prezantoi gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për zhvillimet e fundit në legjislacionin e prokurimit publik, masat për parandalimin e marrëveshjeve të fshehta në tenderë, si dhe raportet vjetore të institucioneve përkatëse për vitin 2025.



