QKUK jep detaje për të plagosurit në Prishtinë: Gjendja e tyre është e rëndë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën në orët e para të mëngjesit, ku të shtëna me armë zjarri kanë lënë dy persona të plagosur. Rasti ka ndodhur më 16 prill rreth orës 03:40 në rrugën “Ahmet Krasniqi”.
Siç mëson Sinjali, njësitet e Stacionit Policor “Veriu” kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në dy persona të plagosur me armë zjarri – P.M dhe B. Sh..
Të njëjtit janë dërguar me urgjencë në QKUK, ku po marrin trajtim mjekësor.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, ka folur drejtori i emergjencës së QKUK-së, Naser Syla.
“Tek ne janë dy të plagosur me armë zjarri. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme për të dy pacientët. Njëri është dërguar menjëherë në sallën operative të emergjencës, ku po punojnë ekipet kujdestare mjekësore. Gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile”.
“Ndërsa i plagosuri i dytë ndodhet ende në Qendrën Emergjente, duke u mbajtur nën vëzhgim; gjendja e tij është gjithashtu e rëndë, por stabile për momentin. Mosha e të plagosurve është 1990 dhe 1995”, ka thënë Syla.



