IKD publikon raportin për drejtësinë civile: Lëndët në Kosovë zvarriten deri në një dekadë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) edhe European Endowment for Democracy (EED), në një konferencë për medie ka publikuar raportin “Drejtësia Civile në Kosovë 2025”.
Raporti u prezantua nga hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala dhe monitoruesja Blendina Veliqi.
Ky raport paraqet trendet kryesore të trajtimit të rasteve civile nga gjykatat në Kosovë gjatë vitit 2025. Në fokus të tij janë barazia e trajtimit të rasteve, ngarkesa e gjykatave, efikasiteti i gjyqtarëve, mbajtja e seancave, kohëzgjatja e procedurave, trajtimi i rasteve pronësore, përdorimi i ndërmjetësimit, shpërndarja e gjyqtarëve dhe ndikimi i tarifave gjyqësore në qasjen në drejtësi.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se përderisa disa raste të iniciuara gjatë vitit 2025 janë përfunduar brenda po atij viti, ka raste të cilat kanë marrë epilog vetëm pas më shumë se një (1) dekade. Një situatë e tillë ngrit dyshime për trajtim të pabarabartë të palëve në rastet civile.
Sa i përket ngarkesës së gjyqësorit me lëndë civile, gjetjet e IKD-së në raport janë se të gjitha gjykatat themelore kanë përformuar pozitivisht, duke ulur numrin e lëndëve të pazgjidhura.
Ndërsa, një performancë e tillë nuk është evidentuar në Gjykatën e Apelit, në të cilën është rritur numri i lëndëve të pazgjidhura. Por, përkundër performancës pozitive në gjykatat themelore, ngarkesa me lëndë civile mbetet e lartë. Veç kësaj, gjetjet tregojnë se ekziston pabarazi në shpërndarjen e gjyqtarëve në raport me ngarkesën me lëndë, ku në disa gjykata, gjyqtarët janë dukshëm më të ngarkuar.
Nga analizimi i efikasitetit të gjyqtarëve sipas gjykatave, gjetjet e IKD-së tregojnë se ekzistojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet sa i përket numrit mesatar të lëndëve të zgjidhura për gjyqtar.
Tutje, gjetjet dëshmojnë se shtyrja e seancave mbetet problematike dhe paraqet regres krahasuar me vitin 2022.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve civile mbetet e lartë.. Kjo situatë paraqet shqetësim serioz në raport me standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe tregon se zvarritja vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha të drejtësisë civile.
Raporti vë në theks se rastet pronësore zvarriten dukshëm më shumë se kategoritë e tjera të rasteve civile. Kjo situatë ngrit shqetësime serioze në raport me mbrojtjen efektive të së drejtës në pronë dhe me trajtimin e barabartë të qytetarëve sipas natyrës së rasteve të tyre.
Tutje, në raport trajtohet edhe përdorimi i ndërmjetësimit, si një mekanizëm i fuqishëm për zgjidhjen jashtëgjyqësore të lëndëve. Gjetjet dëshmojnë se procedura e ndërmjetësimit vazhdon të përdoret në mënyrë shumë të kufizuar. Ndër të tjera, kjo ndodhë edhe për faktin se gjykatat nuk po e zbatojnë në praktikë obligimin për informimin e palëve lidhur me mundësinë e zgjidhjes së kontestit përmes ndërmjetësimit.
Ndërsa, sa i përket tarifave gjyqësore, në raport specifikohet se është shqetësim serioz për qasjen e qytetarëve në drejtësi. Por, me këtë shqetësim nuk pajtohet akterët e sistemit gjyqësor.



