Daut Haradinaj pajton familjet Rexha dhe Fetahaj pas tragjedisë

24 prill 2026 | 21:45

Në praninë e mijëra qytetarëve dhe me ndërmjetësimin e Daut Haradinaj, janë pajtuar familjet Rexha dhe Fetahaj, pas një ngjarjeje tragjike që tronditi Gjakovën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ku punëtori Lindrit Fetahaj nga fshati Skivjan ka humbur jetën në vendin e punës në rrethana tragjike. Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur rreth orës 16:45. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe autoambulanca, e cila rreth orës 17:00 ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Si i dyshuar për rastin është identifikuar Adem Rexhaj, i cili në momentin e incidentit po operonte kranin. Ai është shoqëruar nga policia dhe është intervistuar nga hetuesit rajonalë, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Sot, në fshatin Skivjan, në praninë e shumë qytetarëve, i është dhënë lamtumira e fundit të ndjerit Lindrit Fetahaj. Në ceremoninë e varrimit ishte i pranishëm edhe Daut Haradinaj, i cili, me ndihmën e komunitetit dhe miqve, ka ndërmjetësuar pajtimin mes dy familjeve.

Në një moment prekës dhe me vlera të larta humane, familja Fetahaj, pranë varrezave të fshatit, i ka shtrirë dorën e pajtimit familjes Rexhaj. Ky akt i pajtimit dhe mirëkuptimit, i mbështetur nga ndërmjetësimi i Daut Haradinajt dhe fisnikëria e familjes Fetahaj, është vlerësuar gjerësisht nga të pranishmit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për…