4 ditë para skadimit të afatit për President, Radoniqi i KQZ-së si për “28 dhjetorin”, i dërgon letër Kuvendit të Kosovës

24 prill 2026 | 22:56

Kur duhen edhe vetëm 4 ditë nga skadimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, skena politike në Kosovë po dëshmon një “déjà vu” të rrezikshme. Në një lëvizje që sfidon çdo praktikë të mirë zgjedhore ndërkombëtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka aktivizuar sërish mekanizmin e “shkresave misterioze”.

Jashtë çdo rregulli e logjike për stabilitet ligjor në prag zgjedhjesh, KQZ i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me një kërkesë emergjente – ndryshimin e menjëhershëm të një neni në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ky akt nuk duket i panjohur. Vetëm disa muaj më herët një shkresë e KQZ-së, e hartuar pak ditë para caktimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, u përdor si alibi nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo shkresë shërbeu si “vula” teknike për të përmbushur dëshirën politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit për datën e zgjedhjeve në fund të dhjetorit.

Sot, historia duket se po përsëritet me të njëjtën metodologji. Ndërkohë që ora kushtetuese po troket drejt 28 prillit, kjo shkresë e re e KQZ-së, e dërguar më 24 prill, mund të shndërrohet nga pushteti një “as nën mëngë” i radhës.

Pyetja që shtrohet është e qartë: A po përgatitet terreni që përmes shkresave të institucioneve teknike, sikurse është KQZ, pushteti i Vetëvendosjes të diktojë sërish fatin e zgjedhjeve parlamentare dhe institucionit përfaqësues të shtetit të Kosovës?

Demokracia.com ka folur me disa deputetë opozitarë, të cilët janë shprehur të çuditur nga kjo shkresë e kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa kanë thënë se qëndrimet publike do t’i japin pas analizimit më të hollësishëm të situatës.

Shkresa e Radoniqit, në këtë kohë kritike për fatin e zgjedhjeve të ardhshme, rrezikon të përdoret si arsyetim për legalizimin e vonesave në caktimin e datës së zgjedhjeve, pavarësisht se në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, Kuvendi konsiderohet i shpërbërë dhe duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Çka përmban shkresa e Radoniqit të KQZ-së?

Në shkresën e nënshkruar nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është njoftuar se ky instituicion, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ka realizuar një analizë të detajuar të proceseve të fundit zgjedhore.

“Përmes këtij vlerësimi, ne kemi identifikuar sfidat kryesore që kanë ndikuar në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Si rezultat, kemi përpiluar një sërë rekomandimesh konkrete për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP) dhe Rregulloreve Zgjedhore, të cilat u miratuan me vendimin e KQZ-së nr. 01/319-2026”, thuhet në shkresën e Radoniqit.

Ai ka parashtruar drejtpërdrejtë kërkesën që Kuvendi i Kosovës të bëjë me urgjencë një ndryshim në ligj.

“Duke parë rrethanat që lidhen me afatet pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjen e Presidentit, KQZ vlerëson se nëse zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, është jetike që Kuvendi i Kosovës të miratojë plotësimin dhe ndryshimin e nenit 110 të LZP, me qëllim reduktimin e numrit të votave preferenciale. Ne propozojmë që numri i kandidatëve për të cilët qytetari mund të votojë të ulet nga dhjetë (10) sa është aktualisht, në pesë (5) ose tre (3) kandidatë”, thuhet në kërkesën e dërguar në emër të KQZ-së.

Në fund të kësaj shkrese, arsyetohet edhe propozimi i KQZ-së.

“Ky rekomandim vjen si pasojë e parregullsive që kemi evidentuar gjatë numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Praktika ka treguar se sa më i lartë të jetë numri i preferencave, aq më shumë ndërlikohet dhe ngadalësohet i gjithë procesi, duke krijuar hapësirë për manipulime dhe gabime njerëzore. Përveç anës teknike, mbajtja mend e dhjetë kandidatëve paraqet edhe një barrë kognitive për vetë votuesit, duke e bërë procesin më pak të qartë dhe duke zbehur efektin e synuar të demokracisë. Ky shqetësim është ndarë edhe nga shoqëria civile, ku rrjeti “Demokracia në Veprim” ka kërkuar në raportet e tyre që votimi preferencial të reduktohet ndjeshëm për të mbrojtur integritetin e votes”, thuhet në shkresë.

Si u përdorë shkresa e KQZ-së për caktimin e 28 dhjetorit?

Caktimi i datës 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i kishte shërbyer Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte partia e vetme që e kishte kërkuar fundin e dhjetorit për mbajtjen e tyre. Partitë opozitare kishin shprehur preferencën që ato të mbaheshin më 21 dhjetor.

Vetëm pas vendimit të Vetëvendosjes që të mos rikandidojë Vjosa Osmanin për postin e të parës së shtetit, ishte mësuar se kjo datë u caktua për të plotësuar dëshirën e kryeministrit Kurti. Kjo ishte zbuluar nga presidentja Osmani, në shenjë revolte ndaj mosmbështetjes së Vetëvendosjes.

Por, ndaj pretendimeve të Osmanit se ajo kishte vendosur të caktonte këtë datë për t’i shërbyer taktizimit politik të Vetëvendosjes, kishte reaguar Kurti,i cili kishte thënë se data u caktua për shkak të një shkrese që Sekretariati i KQZ-së ia kishte dërguar Osmanit.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ka thënë Kurti, duke insistuar se nuk ka pasur mundësi që zgjedhjet të organizohen në një datë tjetër.

Edhe Osmani, para se të ndante rrugët me Kurtin, kishte treguar se një shkresë e KQZ-së determinoi caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Të gjitha partitë politike e dinë shumë mirë që për shkak afateve kushtetuese, para meje kanë qenë vetëm dy mundësi, data 21 dhjetor dhe data 28 dhjetor. Sa i përket datës 21 dhjetor, mua më është dërguar vlerësime me shkrim i trupave profesionale të KQZ-së, ku është vlerësuar, po citoj, që është praktikisht e pamundur, zgjedhjet të organizohen në mënyrë të rregullt për datën 21 dhjetor”, kishte thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Në këtë fotografi në Akademinë Përkujtimore të njëzet…