Ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit, vazhdon në orën 14:00
Është ndërprerë seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në këtë seancë, e cila ka nisur mbrëmë nuk kanë marrë pjesë deputetët e opozitës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se seanca do të vazhdojë në orën 14:00. Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Për t’i dhënë atyre mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë […] po e vazhdojmë këtë seancë në orën 2. Pra, shihemi në orën 2”, ka thënë ajo.
Në garën për të parin e shtetit janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti në raundin e parë ka marrë 63 vota, ndërsa Hoxha asnjë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjedhet me 2/3 e votave ose 80 vota të deputetëve.
Nëse asnjeri kandidat për president nuk merr 80 vota në dy raunde të votimit, në raundin e tretë i duhen 61 vota.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e presidentin është kushtetues kur në proces të votimit marrin pjesë 80 deputetë.
Në rast se presidenti nuk zgjedhjet në tri raundet e votimit, atëherë shpërndahet Kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.



