Pas manipulimit të votave, KQZ-ja me mekanizëm për kontrollin e fletëvotimeve

28 prill 2026 | 12:59

Deri në 10 për qind të vendvotimeve do të rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato mbahen, për t’u siguruar që numëruesit e votave kanë evidentuar me saktësi rezultatin e fletëvotimeve.

Ky mekanizëm kontrolli është miratuar me urgjencë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, dështimi i të cilit do të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor,  procesi zgjedhor u ballafaquar me parregullësi në numërim të votave të kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për “Kosovapress”, se mekanizmi i kontrollit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është ideuar për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10 për qind të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, ka thënë Elezi.

Sipas Elezit, parashikimi i rinumërimit të një përqindjeje të caktuar të vendvotimeve, ka për qëllim të shtojë kujdesin e KQZ-së në rezultatet e zgjedhjeve.

Siç ka potencuar ai, dëmtimi i kredibilitetit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, e ka bërë të domosdoshëm një mekanizëm të tillë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se mekanizmi për numërimin e 10 për qind të vendvotimeve tashmë është në fuqi dhe do të zbatohet nga procesi i ardhshëm zgjedhor.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, KQZ kishte zbuluar disa raste të mosevidentimit të saktë të votave të kandidatëve për deputetë dhe këto dyshime çuan në vendimin për rinumërimin e 2 557 vendvotimeve.

Gjatë rinumërimit që ishte bërë me qëllim të korrektimit të rezultateve, mijëra vota u janë larguar kandidatëve të caktuar dhe mijëra të tjera u janë shtuar kandidatëve të tjerë, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në Qendra Komunale të Numërimit.

Ndërsa edhe një numër i madh i komisionerëve dhe pjesëtarëve të tjerë janë intervistuar dhe ndaluar nga organet përgjegjëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa kanë mbetur më pak se 24 orë afat për…