Homazhe në Bundesliga: Tifozët e Eintracht Frankfurtit nderojnë Sofian Podvoricën
Në ndeshjen e djeshme të Bundesligës gjermane mes Eintracht Frankfurtit dhe Hamburg SV, tifozët në tribunat e stadiumit kanë zhvilluar homazhe prekëse për të riun kosovar Sofian Podvorica, i cili humbi jetën ditë më parë në një aksident trafiku në Gjermani.
25-vjeçari, me prejardhje nga Podujeva, u varros të premten në fshatin Dumosh, ku në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë dhe miq. Shumë prej tyre kishin udhëtuar nga Gjermania për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Atmosfera në stadium ishte tejet emocionale, pasi tifozët e Frankfurtit – qyteti ku Sofiani ishte lindur dhe rritur – shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kurrë nuk do të të harrojmë Sofian, prehu në paqe”, duke dëshmuar lidhjen e fortë që ai kishte me komunitetin atje.
Sipas të afërmve dhe miqve, Sofiani kujtohet si një i ri i urtë, i dashur dhe shumë i respektuar nga të gjithë. Familja e tij, e cila jeton prej vitesh në Gjermani, gëzon respekt si në komunitetin shqiptar ashtu edhe në atë gjerman.
Ky gjest i tifozëve gjermanë vlerësohet si një shenjë e fuqishme solidariteti dhe humanizmi, që tejkalon kufijtë dhe bashkon njerëzit në momente dhimbjeje.




