PSD konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhje, 5 parti heqin dorë nga gara
Mungesa e bashkëpunimit ashtu si në Kuvend, partitë politike po i përcjell edhe në zgjedhjet e reja të 7 qershorit. Pak orë para se të skadojë afati për regjistrim të koalicioneve parazgjedhore, në KQZ është deklaruar veç bashkimi i partive boshnjake, me shkurtesën Vakat.
Në të njëjtën kohë, në fundin e 7 majit, skadon edhe një tjetër afat, ai i njoftimit për pjesëmarrje në këtë proces, nga partitë tanimë të regjistruara, procedurë të cilën e kanë kryer veç disa prej tyre.
“Janë 20 parti të regjistruara që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Eelezi.
Në mesin e tyre, të paktën deri në orën 15:00, pjesëmarrjen e konfirmoi LDK, AAK dhe PSD.
Ndërsa, disa parti të tjera, si Vetëvendosje e PDK, këtë procedurë e kanë lënë që ta kryejnë në momentet e fundit.
Ndërkohë, ka subjekte të cilat kanë hequr dorë gara.
“Pesë parti kanë konfirmuar që nuk do jenë pjesë e garës”, ka shtuar Elezi.
Këto janë, Partia Demokratike e Unitetit, Balli Kombëtar, Lëvizja Qytetare Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava dhe Partia e Drejtësisë.
Derisa Vetëvendosje ende se kishte deklaruar pjesëmarrjen në zgjedhje, kryetari i saj Albin Kurti, foli për bashkëpunimin e LDK-së me Vjosa Osmanin, e cila në listë do të hyjë me disa kandidatë që në legjislaturën e fundit ishin pjesë e grupit parlamentar të VV-së.
“Le të punojnë me çka dinë e mundën dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Rrjedhimisht shikoni, njerëzit kanë dëshira, edhe kjo është normale, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me faktet”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, partitë kanë afat edhe pesë ditë për t’i dorëzuar listat finale me emrat e kandidatëve për deputetë./Dukagjini/



