U përurua monografia “Shtëpia me gjak në mure”
Në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot, në kuadër të aktiviteteve të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, u përurua, në gjuhën shqipe dhe angleze, libri “Shtëpia me gjak në mure” i autorit Afrim Hysenaj, libër që sjell dëshmi dhe rrëfime tronditëse për masakrën në Poklek të Vjetër gjatë luftës në Kosovë ndodhur më 17 prill 1999.
Dhimbja e fortë dhe kujtimi i paharrueshëm, dhimbja shpirtërore dhe dhembja njerëzore, një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë, masakra në Poklek të Vjetër, i bëri bashkë familjarët të cilët dëgjuan rrëfimet e njëri-tjetrit për përjetimet në masakër.
Gjatë promovimit të librit u zhvillua një bashkëbisedim me autorin lidhur me procesin e përgatitjes së librit, sfidat e mbledhjes së dëshmive dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
Për librin foli edhe recensenti, profesori Durim Abdullahu, i cili vlerësoi veprën si një dokument i rëndësishëm i memories kolektive dhe dhimbjes shqiptare.
Një moment veçanërisht prekës i mbrëmjes ishte leximi i katër rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës në Poklek të Vjetër: i Elhame Muçollit, i Lumnije Hysenaj Muçollit, i Leutrim Carakut, i Zymber Elshanit dhënë autorit të këtij libri, Afrim Hysenajt.
Rrëfimet e tyre i lexoi Alma Ramaj dhe krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë.
Promovimi u përcoll me interesim nga familjarë, historianë, shkrimtarë, duke e kthyer këtë ngjarje në një akt kujtese dhe nderimi për viktimat e luftës.
Titulli i librit “Shtëpia me gjak në mure” është tronditës ashtu sikurse përmbajtja e tij.
Është një realitet i përjetuar e i papërpunuar. Një hapësirë ku krimi serb ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në mure, por edhe në kujtesën e të mbijetuarve e të familjarëve të tyre. Në këtë libër Hysenaj nuk synon vetëm të tregojë atë që ka ndodhur e ka dëgjuar, por të ndërtojë një urë mes së kaluarës dhe së tashmes, mes dhimbjes dhe reflektimit, mes kujtesës dhe përgjegjësisë.




