Rrëfimi i të mbijetuarës së luftës, Lumnije Hysenaj-Muçolli, në Poklek të Vjetër
Lumnije Hysenaj-Muçolli ka lindur më 1 mars 1974 në Abri të Epërme të Drenasit (ish-Gllogocit). Është fëmija i parë i prindërve Hajzer dhe Hamide Hysenaj dhe i katër motrave dhe dy vëllezërve. Është martuar në vitin 1994 me Shaban Muçollin nga Pokleku i Vjetër. Së bashku i kanë tri vajza dhe një djalë. Në gjenocidin që kryen forcat e armatosura serbe në Poklek më 17 prill 1999, mbi fëmijë, gra, burra dhe pleq, Lumnija mbijetoi dhe shpëtoi. Është një prej gjashtë të mbijetuarve të këtij krimi. Ajo e sfidoi vdekjen edhe kur vdekja një milion herë i trokiti pranë, ndërsa Lumja dy milionë herë u ringjallë dhe u bë heroina e jetës së vet, e vajzës Arbenitës që ishte vetëm 3.5 vjeçe dhe heroina e nipit të familjes Muçolli, Leutrim Caraku, i cili ishte vetëm nëntë vjeç në ditën e kobshme. Lumnija, atëherë 25 vjeçe, mbeti gjallë të tregojë tmerrin që përjetoi dhe që arriti të shpëtojë në çastin e fundit bashkë me vogëlushen e saj, para se policia serbe t’ua hidhte benzinën e t’ua fuste flakën 51 civilëve shqiptarë. Lumja tani është nënë e katër fëmijëve, Arbenitës së mbijetuar, Mehremes, Denizes dhe Enisit. Jeton me bashkëshortin, Shabanin, të cilët së bashku e menaxhojnë gjellëtoren “Nita” në Drenas. Ajo është kuzhiniere, kurse ai u shërben klientëve. Se çfarë ka përjetuar ajo më 17 prill 1999 në shtëpinë krematorium në Poklek të Vjetër, po lexojmë disa fragmente të intervistës që është botuar në librin “Shtëpia me gjak në mure” të Afrim Hysenajt.
Në mëngjesin e kobshëm të 17 prillit 1999 erdhi baca Sinan (Muçolli) dhe na tha: “Çohuni ikim se jemi të rrethuar në të katër anët”. Ishte ora 6.00 e mëngjesit. Dolëm të gjithë tubë, bashkë me mysafirët që kishin ardhur për strehim dhe shpëtim te ne. Ecnim në atë natje të freskët. Pranvera e atij viti nuk ishte e nxehtë. Kur mbërrimë te xhamia e qytetit, na dolën përpara milicët serbë. E skajuan bacën Sinan dhe i thanë: “Kthehuni, se në Poklek nuk ka asgjë!” Menjëherë gjuajtën me automatik. Na kërcënuan se, po s’u kthyem, do të na vrasin të gjithëve. Pa mbërritur te livadhet e fshatit, ia nisi një shi i rreptë, që të shponte. Serbët gjuanin në të gjitha anët. Aty, në shi dhe livadh, na mbajtën mbi një orë, pastaj kur u bë ora 9:00, ashtu qull, na drejtuan në shtëpinë tonë të Muçollëve, që të gjithëve. Së pari na numëruan. “Pak janë”, tha milici shqip. Pastaj ngjarja u zhvillua tmerrshëm. Ne, grave, fëmijët e vajzat…, na kishin futur në një dhomë rreth 60 veta. Hynte dhe dilte milici me automatik në dorë. Pas pak dëgjuam urdhrin se duhej të dilnim të gjithë jashtë. Kur dolëm na numëruan sa ishim. Na radhiten një nga një. Ishim 59 veta, prej këtyre 23 fëmijë të moshës nën 12 vjeç, 9 nxënës të fillores, të tjerët foshnja, një vetëm gjashtëmuajshe. Që të gjithë të familjes së Muçollëve. Aty me ne ishin edhe katër veta të Carakëve të Dobroshecit, që kishin ardhur për t’u shpëtuar serbëve, si dhe një mbesë e familjes Hoxha nga Korrotica. Me ne ishte edhe poeti Ymer Elshani së bashku me gruan, katër djemtë e vet dhe kunatën. Ishin 15 vajza prej moshës 18-23 vjeçe, nuse dhe gra të moshës së pjekurisë, si dhe katër djem të moshës madhore.
Pasi na numëruan, njëri milic i tha tjetrit shqip: “Pak janë!”. “Jo”, ia ktheu ai. “Mjaft janë. Futini brenda!” Pas pak përsëri na nxorën jashtë. Na ndanë: gratë në njërën anë, burrat në tjetrën dhe na urdhëruan t’i mbanim duart në zverk. Iu kthyen bacës Sinan: “Pse të gjithë këto gra e nuse pa burra? Ku i keni djemtë?” “I kemi jashtë” iu përgjigj shkurt baca. “S’është e vërtetë. I keni në mal!” – e kërcënuan… Frymëmarrjet dhe dridhjet tona nisën të shpeshtoheshin. E shtrëngoja Arbenitën në prehër. Pastaj, pas shumë mundimeve, i nxorën Ymerin dhe Sinanin. S’vonoi shumë, i dëgjuam të shtënat. I pushkatuan. Në dhomën ku na kishin ngujuar nisën britmat e grave, piskamat e fëmijëve. Kërkonim të na hapnin derën që të dilnim.
Tash ndodhi ngjarja tjetër. Milici e hapi derën dhe gjuajti një bombë si me helm. Na trullosi mirë. E di që më fishkëllyen veshët e m’u nxinë sytë. Dëgjoja vetëm automatikun që kërciste, asgjë tjetër nuk dija e shihja. Kur u kthjella, e pashë veten në anën tjetër të dhomës, nën shporet. Përsëri milici e hapi derën, e gjuajti bombën tjetër, shpejt e mbylli derën dhe iku. Tymi i bombës e pushtoi dhomën. Pas shpërthimit të saj përsëri hyri milici me automatik në dorë. Filloi të shtënat radhazi mbi të gjithë, edhe ndaj foshnjës gjashtëmuajshe që ishte në prehër të së ëmës. Ishte pamje tmerri. Përmbi mua kishin rënë kufomat e grave, mbi këmbë e kisha kunatën, motrën e burrit, çikë e re, Bahrie e ka pasur emrin. Mua më kishte rrokur plumbi në dorë të majtë. Më kishin shpëtuar trupat e të rënave mbi mua. Kur doli milici nga dhoma, shkrepi edhe nja 3-4 herë me automatik. Një nga milicët që ishte te dritarja tha: “Hajde, boll ma, u kry”, ndërsa ky që bëri masakrën, krimin mbi civilë, në vend të përgjigjes, hyri edhe njëherë në dhomë, i shqelmoi të shtrirët në tokë, i pështyu dhe u largua. Pasi doli, u çuam ngadalë ne që kishim mbetur gjallë, e vajzës që filloi të qante ia mbylla gojën.
Kur milicët na lanë për të vdekur dhe shkuan të merrnin benzinë për të na shtënë flakën, unë bashkë me vajzën time dhe me Leutrimin dolëm nga dhoma e gjakut, u ngjitëm shpejt në katin e tretë të shtëpisë, ku kishin shkuar edhe mixha Ramadan dhe plaku Hysen. Elhemja, që nga gjuajtja e bombës së parë, e plagosur rëndë në zog të këmbës, kishte kërcyer nga dritarja dhe kishte ikur. Në atë grumbull njerëzish kishin mbetur gjallë edhe katër veta, me trupa të përgjysmuar: Eminja, vajzë 20 vjeçe, djali i Ymer Elshanit, që me gjysmë trupi, duke u tërhequr zhargas, doli në korridor, nusja Floria me të dyja këmbët e këputura, vëllai i Elhemes… Mbaj mend të më ketë thënë Eminja: “Oj Lume, mbasi më paska shkuar krejt familja, s’kam pse të jetoj ma!” Derisa isha në katin e tretë, vajza nisi të çante. Leutrimi thoshte: “Çomë ta shoh nanën!…”. Para se milicët të ktheheshin me bidonë të benzinës, të cilët i derdhën mbi trupat e të vrarëve dhe të të gjallëve, të cilët nuk pati kush t’i merrte, unë ika vetë e treta. Teksa po dilnim, tek oda jonë, Leutrimi m’u kthye: “Oj Lume, këqyr, këqyr ku i paskan vrarë dajën Sinan dhe Ymerin!”
U larguam. Në një shtëpi të fshatit takova një grua pranë bunarit që po nxirrte ujë. Iu ofrova: “Ooo, a ka Zot për mua… a ka rob në këtë shtëpi?!” Gruaja e trembur e lëshoi kovën e m’u afrua: “E kujt je, bijë?” “O mos më pyet, se i kanë vrarë të gjithë, po shtinum brenda!” Doli edhe një plak. Pasi na dhanë ujë, m’u kthye: “Ndoshta je habitur, moj bijë, se nuk është e mundur t’i kenë mbytur të gjithë!” “Oh bre, prej mëngjesit na kanë ngujuar”, – i thashë, ndërsa ai, pasi shikoi habitshëm nga shtëpia jonë, përsëri m’u kthye: “Po ajo shtëpi po kallet, bre, e ti po thua se kanë mbetur të plagosurit gjallë në të!”
Këto fragmente të intervistës së saj, dhënë autorit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, u lexuan sonte në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare nga Alma Ramaj, e cila krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë. Ky aktivitet u organizua në kuadër të aktiviteteve të tjera mbështetëse të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni VI, përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.




