Rrëfimi i Zymber Elshanit, vëllait të Ymer Elshanit, për masakrën në Poklek të Vjetër
Zymber Elshani ka lindur më 7 nëntor 1950 në fshatin Korroticë e Ulët të komunës së Drenasit. Është vëllai i dytë me radhë i poetit Ymer Elshani, me profesion inxhinier i elektroteknikës, ish-mësimdhënës në Shkollën Teknike në Prishtinë. Është shkrimtar. Zymberit në Poklek i janë vrarë vëllai Ymeri, katër nipat (djemtë e Ymerit) dhe dy kunatat, ndërsa të nesërmen nëna. Pas vrasjes, policët serbë e kanë hedhur nënën e Zymberit në bunarin e Hysen Klunës në Poklek, në oborrin e tij. Nëna e Zymberit ishte motra e simbolit të flamurit kombëtar, Fazli Grejçevci. Zymberi rrëfen për përjetimin e ngjarjes së kobshme dhe takimin për herë të parë me Teutën, e vetmja bijë e shpëtuar e prindërve Ymer dhe Nafije Elshani. Fragmente nga intervista e tij më poshtë:
Ymeri ka qenë një djalë i shëndetshëm, goxha i hareshëm. Jemi rritur bashkë. I kam kujtimet e freskëta për Ymerin. Herët pat filluar të punojë mësimdhënës, më 1972. I la lojërat fëmijërore e vetëm lexonte shumë. Në vitet e fundit të jetës u zotua, me gjithë qenien e tij, për pavarësimin e shkollës shqipe. Vizitonte çdo shkollë fillore të komunës. Udhëzonte për mbarëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Ymeri qysh në fillim të luftës pat parandier se do të ndodhte një furtunë e madhe. Djemtë e Ymerit, i madhi ka qenë Ardiani, i dyti Mirani, i treti Kujtimi, i katërti Nderimi. Ardiani sa ishte student ka qenë në këtë banesë. Pastaj në Korroticë të Lartë ka punuar mësimdhënës i matematikës në vitet ‘90.
Patëm ikur nga Prishtina më 3 prill 1999. Tri ditë kemi qëndruar në Bllacë, afër kufirit me Maqedoninë, pastaj shkuam në Stankovec (Maqedoni). Mbaja me vete një radio të vogël. Atë ditë më rroku një telepati e rëndë. S’dija çka kisha. Atë ditë s’e lëshova radion. Në orën 6:00 të mbrëmjes e lëshova dhe dëgjova se në Poklek të Vjetër është masakruar familja gjashtanëtarëshe e Ymer Elshanit, kurse më 19 prill kam folur në telefon me Teutën. Ajo më ka shpjeguar kush e kush është masakruar në Poklek. I kanë vrarë, tha, katër vëllezërit, Lelin, nanën, gruan e Velisë e gjyshen. Njëherë e pyeta a je e sigurt, oj Teutë? Më tha prej tri anëve i kam informacionet. I thashë bëj gajret, oj Teutë. Po bëj tha, po s’po di qysh bëhet. Qante në telefon. Pasi e ndërpremë lidhjen, ia nisa të qaj me zë.
Këto fragmente të intervistës së tij, dhënë autorit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, u lexuan sonte në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare nga Alma Ramaj, e cila krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë. Ky aktivitet u organizua në kuadër të aktiviteteve të tjera mbështetëse të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni VI, përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.




