Panairi i Librit të Vjetër, ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën tonë
Edicioni VI i Panarit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur ka nisur sot, më 7 maj 2026, në Prishtinë. Panairi po mbahet në tarracën e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në kuadër të këtij edicioni të panairit janë ekspozuar libra të vjetër e të përdorur, disa prej të cilëve nuk gjenden as në bibliotekat publike.
Përveç ekspozimit të librave, gjatë panairit do të organizohen edhe disa aktivitete letrare, promovime librash dhe takime me autorë.
Berat Dakaj, koordinator i aktiviteteve letrare të panairit, tha në hapje se libri i vjetër, i rrallë dhe i përdorur, pos që bart informacione të rëndësishme, bartë edhe përjetim e reflektim te lexuesit.
“Ky panair synon të krijojë një vend ku libri nuk është vetëm për t’u blerë apo shitur, por për t’u zbuluar, për t’u ndier dhe ndarë me të tjerët”, tha Dakaj.
Ndërsa Bedri Zyberaj tha se ky panair ofron libra të rrallë që lexuesit vështirë se mund t’i gjejnë nëpër biblioteka apo librari. “Ky panair paraqet një ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën tonë kombëtare, pasi si i tillë çfarë ka ofruar gjatë viteve, ka qenë në funksion të afirmimit të kohezionit historik të librit shqip”, tha Zyberaj.
Sot në orën 18:00 në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, u përurua, në gjuhën shqipe dhe angleze, libri “Shtëpia me gjak në mure” i autorit Afrim Hysenaj, libër që sjell dëshmi dhe rrëfime tronditëse për masakrën e Poklekut të Vjetër gjatë luftës në Kosovë ndodhur më 17 prill 1999.
Dhimbja e fortë dhe kujtimi i paharrueshëm, dhimbja shpirtërore dhe dhembja njerëzore, një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë, masakra në Poklek të Vjetër, i bëri bashkë familjarët të cilët dëgjuan rrëfimet e njëri-tjetrit për përjetimet në masakër.
Gjatë promovimit të librit u zhvillua një bashkëbisedim me autorin lidhur me procesin e përgatitjes së librit, sfidat e mbledhjes së dëshmive dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
Për librin foli edhe recensenti, profesori Durim Abdullahu, i cili vlerësoi veprën si një dokument i rëndësishëm i memories kolektive dhe dhimbjes shqiptare.
Një moment veçanërisht prekës i mbrëmjes ishte leximi i katër rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës në Poklek të Vjetër: i Elhame Muçollit, i Lumnije Hysenaj Muçollit, i Leutrim Carakut, i Zymber Elshanit dhënë autorit të këtij libri, Afrim Hysenajt.
Rrëfimet e tyre i lexoi Alma Ramaj dhe krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë.
Promovimi u përcoll me interesim nga familjarë, historianë, shkrimtarë, duke e kthyer këtë ngjarje në një akt kujtese dhe nderimi për viktimat e luftës.
Titulli i librit “Shtëpia me gjak në mure” është tronditës ashtu sikurse përmbajtja e tij.
Është një realitet i përjetuar e i papërpunuar. Një hapësirë ku krimi serb ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në mure, por edhe në kujtesën e të mbijetuarve e të familjarëve të tyre. Në këtë libër Hysenaj nuk synon vetëm të tregojë atë që ka ndodhur e ka dëgjuar, por të ndërtojë një urë mes së kaluarës dhe së tashmes, mes dhimbjes dhe reflektimit, mes kujtesës dhe përgjegjësisë.
Nesër, po në orën 18:00, në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të panairit, do të bëhet përurimi i kompletit të veprës prej tetë vëllimesh të shkrimtarit Adem Gashi.




