Presion i madh ndaj Starmerit, më shumë se 50 deputetë kërkojnë largimin e tij. 4 ndihmës të qeverisë japin dorëheqjen

11 maj 2026 | 21:24

Situata politike brenda Partisë Laburiste në Britani po përshkallëzohet, pasi dhjetëra deputetë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Keir Starmer, ose të paktën vendosjen e një afati për dorëheqjen e tij.

Sipas raportimeve, tre deputetë të Laburistëve që shërbenin si ndihmës ministra kanë dhënë dorëheqjen dhe i kanë kërkuar Starmer-it të largohet nga posti i kryeministrit.

Ndërkohë sipas BBC-së, numri i deputetëve që kërkojnë publikisht dorëheqjen e tij ka arritur në 57, nga 55 që ishte më herët gjatë ditës.

Deputetë të ndryshëm kanë shprehur pakënaqësi për drejtimin e qeverisë dhe mungesën e besimit publik. Disa prej tyre kërkojnë që Starmer të caktojë një afat të qartë për largimin e tij, duke argumentuar se Partia Laburiste ka nevojë për një lidership të ri për të rikthyer besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, Sekretari i Strehimit Steve Reed u shpreh se shumica e deputetëve brenda partisë nuk mbështesin dorëheqjen e kryeministrit. Ai tha se rreth “90% nuk duan që kjo të ndodhë” dhe se qeveria duhet të fokusohet te prioritetet e qytetarëve, jo te ndryshimi i lidershipit.

“Ne duam të fokusohemi te ajo që do publiku… jo të flasim me veten për një lider të ri,” tha ai. Ai shtoi se qeveria pranon se nevojiten ndryshime, por nuk ndihmon “të hidhen poshtë” kryeministrat.

Sipas tij, ndryshimet e shpeshta të kryeministrave, siç ndodhi me Partinë Konservatore, nuk janë zgjidhje e qëndrueshme.

Ndërkohë, deputetja Catherine West është tërhequr nga ideja për të nisur një sfidë për lidershipin, por ka kërkuar që Starmer të largohet deri në muajin shtator.

Situata është tensionuar edhe më tej me dorëheqjen e disa ndihmësve parlamentarë të ministrave, përfshirë Joe Morris, Tom Rutland dhe Naushabah Khan, të cilët kanë shprehur mungesë besimi në aftësinë e kryeministrit për të udhëhequr vendin.

Joe Morris, ndihmës i ministrit të Shëndetësisë Wes Streeting, tha se vendi ka nevojë për një qeveri që përmbush premtimet për uljen e kostos së jetesës dhe investime në komunitete. Sipas tij, Starmer nuk gëzon më besimin e publikut për të udhëhequr këto ndryshime.

Këto zhvillime vijnë në një moment të vështirë për qeverinë britanike, ndërsa presioni brenda Partisë Laburiste po rritet dhe debati për të ardhmen e lidershipit po thellohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci ka folur për…