Letër Kosovës sime

13 maj 2026 | 15:20

Shkruan: Nazmi Jusufi

E dashura Kosovë,

Pak ditë më parë u ktheva nga një vizitë e shkurtër në vendlindje. U ktheva me zemër plot mall, me krenari për popullin tim, por edhe me shumë pyetje e shqetësime që nuk mund t’i hesht. Çdo kthim në Kosovë është përballje me dashurinë, por edhe me realitetin.

Pashë një Kosovë që ecën, por lodhet. Një popull që punon, por mbijeton. Një rini që ëndërron, por një pjesë e saj ende e sheh largimin si shpëtim. Pashë shpresë në sytë e njerëzve, por edhe zhgënjim të heshtur që po rëndon çdo ditë mbi jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve.

Pashë bujkun shqiptar që ende lufton me tokën, me mungesë subvencionesh të mjaftueshme, me kosto të larta dhe pa siguri për tregun. Pashë fshatarin që mban gjallë ekonominë familjare me djersë e sakrificë, ndërsa shumë herë mbetet i harruar nga politikat zhvillimore.

Pashë sektorin privat që përpiqet të mbijetojë mes tatimeve, çmimeve të larta, mungesës së fuqisë punëtore dhe pasigurisë ekonomike. Takova biznesmenë që nuk kërkojnë privilegje, por vetëm stabilitet, drejtësi dhe mbështetje reale për të krijuar vende pune.

Pashë qytete që kanë ndryshuar pamje, me rrugë moderne, investime infrastrukturore dhe projekte që afrojnë Kosovën me standardet evropiane. Por në anën tjetër, pashë edhe ndërtime pa plan, lagje të ngulfatura nga betonizimi, mungesë hapësirash publike dhe urbanizëm që në shumë raste po ia humb identitetin qyteteve tona. Disa zona japin pamjen e një shteti modern, ndërsa të tjera lënë përshtypjen e mungesës së rendit urban dhe të vizionit afatgjatë.

Pashë gjithashtu rrugë, trotuare dhe sheshe qytetesh që kërkojnë mirëmbajtje më serioze dhe më shumë kujdes institucional. Zhvillimi nuk matet vetëm me ndërtim të ri, por edhe me ruajtjen dhe funksionalitetin e asaj që është ndërtuar.

Por mbi të gjitha, pashë një lodhje shpirtërore të shoqërisë sonë.

Polarizimi politik ka krijuar ndarje të thella mes njerëzve. Familje, miqësi dhe shoqëri janë përçarë nga militantizmi politik. Në Kosovë sot shpesh nuk pyetesh më “si je?”, por “me kë je?”. Kjo është alarmante për një shtet të ri që ende po ndërton themelet demokratike.

Politika jonë, për vite me radhë, ka krijuar tension të vazhdueshëm, zgjedhje të shpeshta dhe krizë permanente institucionale. Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike dhe egove personale. Nuk është normale që një shtet kaq i vogël të hyjë vazhdimisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo tregon mungesë stabiliteti, mungesë konsensusi dhe mungesë përgjegjësie shtetërore.

Në anën tjetër, gjendja ekonomike dhe sociale po rëndohet. Çmimet e energjisë, derivateve dhe shportës bazike kanë goditur rëndë familjen kosovare. Inflacioni nuk po shihet vetëm në statistika, por në tavolinat e qytetarëve. Sot shumë familje jetojnë me ankthin e faturave dhe jo me sigurinë për të ardhmen.

Megjithatë, në këtë realitet të vështirë, pashë nga shumë qytetarë edhe rolin e diasporës, i cili ishte mjaft i theksuar, sidomos në përfshirjen e saj në zhvillimet politike dhe në pjesëmarrjen aktive në zgjedhje.

Diaspora shqiptare nuk është më vetëm burim remitancash. Ajo sot përfaqëson një faktor të rëndësishëm ekonomik, social dhe shoqëror për Kosovën. Roli dhe pesha e saj në proceset politike po bëhen gjithnjë më të dukshme. Natyrisht, lidhur me pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje dhe ndikimin e votës së saj ekzistojnë mendime të ndryshme, pro dhe kundër, dhe koha do të tregojë sfidat dhe efektet e këtij roli në jetën demokratike të vendit.

Megjithatë, një gjë mbetet e padiskutueshme: mërgata shqiptare nuk e ka harruar Kosovën asnjëherë — as në luftë, as në paqe, as në krizë dhe as në procesin e shtetndërtimit.

Por edhe diaspora duhet të ketë kujdes: Kosova nuk ndërtohet mbi emocione momentale politike, por mbi vizion afatgjatë shtetëror. Vota duhet të jetë për stabilitet, zhvillim ekonomik, drejtësi, unitet shoqëror dhe ndërtim të një shteti funksional e demokratik.

Kosova ka nevojë për më pak zhurmë politike dhe më shumë shtet. Më pak konflikte personale dhe më shumë dialog kombëtar. Më pak premtime elektorale dhe më shumë përgjegjësi institucionale.

Liderëve politikë u them:
Kosova nuk është pronë partie. Është amanet i gjeneratave që sakrifikuan për liri.

Institucioneve u them:
Besimi i qytetarit fitohet vetëm me drejtësi, profesionalizëm, transparencë dhe meritokraci.

Popullit tim i them:
Mos lejoni që politika t’ju ndajë. Asnjë parti nuk është më e madhe se Kosova.

Dhe në fund, Kosovës sime i them:

Ti ke kaluar shumë stuhi dhe do t’i kalosh edhe këto. Sepse forca e këtij vendi nuk ka qenë kurrë politika – por populli i tij, sakrifica e tij dhe shpresa e tij për të nesërmen.

Me respekt, mall dhe shpresë,

Autori është mërgimtar dhe njohës i zhvillimeve evropiane

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri Halimi 1. Mjerisht në mesin e shqiptarëve në…