AGK dhe disa organizata shprehen të zhgënjyera me emërimin e Rilind Gërvallës si U.D i RTK 1, 3 dhe 4
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi bordi i RTK-së e ka emëruar Rilind Gërvallën si ushtrues detyre i drejtorit në RTK1, RTK2 dhe RTK3.
AGK-ja së bashku edhe me Lëvizjen FOL, Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe aktivisten Flutura Kusari, kanë shprehur zhgënjimin për këtë emërim.
U.D Drejtorja, Zana Spahiu dhe Bordi i RTK-së, sipas këtij reagimi, do të duhej që të siguronin që në këtë pozitë të propozohet dhe caktohet një person me integritet të pakontestuar, apolitik dhe që do të ruante dhe promovonte pavarësinë e Transmetuesit Publik.
“Zoti Gërvalla, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti nuk garanton këto parime dhe standarde të nevojshme për RTK-në. Përkundrazi, gjatë mandatit të tij, Transmetuesi Publik është përdorur për të sulmuar mediat private në Kosovë. Për këto veprime asnjëherë në RTK nuk janë inicuar procedura për të mbajtur personat përgjegjës dhe llogaridhënës për lajmin e rrejshëm kundër dy portaleve, të marrë nga një media e quajtur “Slobodna Bosna”, dhe e transmetuar në Lajmet Qendrore në RTK.”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se gjatë udhëheqjes së tij, RTK-ja është shndërruar në një mekanizëm që ndërton lajme dhe tregime në favor të Qeverisë dhe partisë politike, Vetëvendosje.
AGK-ja dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim që në këtë kohë disa emisione janë larguar nga skema programore pa miratimin e Bordit, dhe disa gazetarë janë larguar nga ekrani qëllimshëm.
“Nën udhëheqjen e zotit Gërvalla dhe U.D të Drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozi RTK-ja është shndërruar në organ propagandues të Qeverisë dhe Vetëvendosjes. Vazhdimi me zotin Gërvalla në këtë post të rëndësishëm jep sinjale që edhe Bordi i ri, i zgjedhur në një procedurë të komprometuar nuk ka interes për të mbajtur RTK-në të pavarur dhe të pandikuar nga politika. Disa raporte ndërkombëtare kanë alarmuar për presionin politik ndaj Transmetuesit Publik.”, përfundon reagimi i AGK-së.



