FC Policia e Kosovës kampione në Ligën e Parë, siguron promovimin në Superligën e futsallit

14 maj 2026 | 11:09

FC Policia e Kosovës është shpallur kampione e Ligës së Parë në futsall për edicionin 2025/26, duke siguruar kështu promovimin në Superligën e Kosovës për sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Policisë së Kosovës e vulosi titullin kampion pas fitores në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Minatorit, duke e mbyllur sezonin me paraqitje mbresëlënëse dhe rezultate të qëndrueshme gjatë gjithë edicionit.

Vetëm një vit pas inkuadrimit në garat nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Kosovës, FC Policia e Kosovës arriti të ndërtojë një skuadër konkurruese, duke regjistruar 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje. Me 41 pikë të grumbulluara, skuadra u kurorëzua me meritë kampione e Ligës së Parë.

Pas përfundimit të ndeshjes, trofeun e kampionit lojtarëve të FC Policia e Kosovës së bashkua ua dorëzuan presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Me këtë rast, presidenti Ademi ka uruar klubin për suksesin e arritur dhe promovimin në elitën e futsallit kosovar.

“Urime FC Policia e Kosovës për titullin kampion në Ligën e Parë të futsallit dhe inkuadrimin në Superligën e Kosovës. Sonte patëm kënaqësinë ta ndajmë trofeun e kampionit për FC Policia e Kosovës, ekip i cili vetëm një vit më parë iu bashkua garave nën ombrellën e FFK-së, ndërsa në këtë edicion dëshmoi organizim, disiplinë dhe cilësi të jashtëzakonshme sportive. Me paraqitje të shkëlqyera gjatë gjithë kampionatit, skuadra e Policisë së Kosovës arriti me plot meritë të shpallet kampione e Ligës së Parë dhe të sigurojë promovimin në elitën e futsallit kosovar për edicionin e ardhshëm. Ky sukses pasqyron vlerat që përfaqëson edhe vet institucioni i Policisë së Kosovës; përkushtimin, profesionalizmin dhe punën ekipore”, ka shkruar presidenti Ademi në urimin e tij.

Ai po ashtu ka uruar edhe FC Rahovecin për rikthimin në Superligën e Kosovës në futsall, duke iu dëshiruar suksese të dyja skuadrave në edicionin e ardhshëm në elitën e futsallit kosovar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë do të mbajë sot mbledhje nga ora…