Shembet një ndërtesë në Gjermani, ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar
Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të martën në mëngjes kërkimet për tre persona të zhdukur, pasi një ndërtesë u shemb të hënën në mbrëmje në qytetin gjerman Görlitz, pranë kufirit me Poloninë.
Policia ka bërë me dije se shkaku i mundshëm i shembjes mund të ketë qenë një shpërthim gazi. Për shkak të rrezikut nga rrjedhjet e gazit, ekipet në terren po veprojnë me kujdes të madh gjatë kontrollit të rrënojave dhe sigurimit të zonës.
Pasi tentimet për të gjetur të zhdukurit me ndihmën e qenve kërkues nuk dhanë rezultat, ekipet e shpëtimit nisën largimin e rrënojave me ekskavatorë dhe me mjete dore. Frika fillestare se deri në pesë persona mund të kishin mbetur nën rrënoja më vonë rezultoi e pasaktë, tha policia.
Një burrë, i cili druante se gruaja dhe kushërira e tij kishin mbetur të bllokuara nën rrënoja, tregoi se ato kishin ardhur atë ditë për pushime në një shtëpi të marrë me qira. Ai tha se, ndërsa ndodhej në një supermarket aty pranë, dëgjoi një shpërthim të fuqishëm e kur u kthye pa vetëm një grumbull të madh rrënojash. Sipas policisë, ndërtesa e shembur ishte ndërtuar në stilin historik vilhelminian dhe përmbante apartamente banimi me qira si dhe apartamente për turistë.
Görlitz është qyteti më lindor i Gjermanisë dhe ka rreth 57 mijë banorë. Qendra e tij historike e ruajtur mirë përdoret shpesh si lokacion për produksione ndërkombëtare filmike.



