Lautaro zgjedh Kanen para Haalandit

19 maj 2026 | 16:54

Lautaro Martinez ka zgjedhur Harry Kanen si qendërsulmuesin më të mirë në botë, duke e vendosur përpara Erling Haalandit. Kapiteni i Interit vlerësoi lojën e plotë të sulmuesit anglez, ndërsa foli edhe për partneritetin me Marcus Thuram dhe zhvillimin e tij në Itali.

Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Martinez u pyet se kë e konsideron sulmuesin më të mirë të futbollit modern. Edhe pse shumë e shohin Haalandin si referencë për shkak të statistikave të tij mbresëlënëse me Manchester Cityn, argjentinasi zgjodhi Kanen, i cili udhëheq sulmin e Bayern Munichut.

Martínez shpjegoi se arsyeja kryesore është repertori më i gjerë i anglezit. Sipas tij, Kane nuk është vetëm golashënues, por edhe lojtar që ndihmon ndërtimin e aksioneve dhe lexon shumë mirë lojën.

“Harry Kane. Madje e vendos përpara Haalandit për kontrollin e topit, lojën në kombinime, leximin e ndeshjes dhe goditjet me kokë. Është fenomen”, tha Martinez.

Vetë sulmuesi i Interit është kthyer në një nga finalizuesit më të besueshëm në Evropë. Këtë sezon, ai ka shënuar 17 gola në 29 paraqitje në Serie A, duke kryesuar listën e golashënuesve të kampionatit.

Martínez beson se aktualisht po luan futbollin më të mirë të karrierës së tij.

“Sigurisht, sepse ndihem shumë i lumtur dhe me vetëbesim kur luaj. Lëviz me shumë lehtësi, edhe taktikisht. Më parë nuk ishte kështu,” u shpreh ai.

Argjentinasi foli edhe për mirëkuptimin në fushë me Marcus Thuram, një partneritet që ka ndihmuar Interin të ruajë fuqinë sulmuese gjatë sezonit.

“Unë dhe Marcus jemi kuptuar gradualisht. Ai është një djalë i gëzuar dhe i veçantë. Unë jam më seriozi. Plotësojmë njëri-tjetrin, edhe nga ana e personalitetit,” shtoi kapiteni i Interit.

Martínez tashmë e ka udhëhequr Interin drejt titujve në Serie A dhe Kupën e Italisë këtë sezon, duke shënuar edhe në fitoren 2-0 ndaj Lazios në finale. Megjithatë, ai pritet të jetë sërish protagonist në ndeshjen e fundit të kampionatit, kur zikaltërit do të përballen me Bolognan më 23 maj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, njëherësh kryetar i…