Rinisin punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, Rama: Ka pas veç vonim, jo pshtim
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Ai u është drejtuar qytetarëve me një video nga ky shesh, duke thënë se bllokadat dhe pengesat e panevojshme i kanë penalizuar qytetarët e Prishtinës, duke e vonuar ndërtimin e sheshit.
“Sheshet janë të qytetarëve dhe për qytetarët! Do të vazhdojmë me vendosmëri deri në përfundimin e çdo projekti transformues n’Kryqytet. Na jemi këtu për me punu, e jo për me blloku e me shit propagandë”, ka shkruar Rama, krahas videos.
Ai ka thënë se punimet do vazhdojnë me intensitet edhe më të lartë.
“Pra, ka pas veç vonim, jo pshtim”, thotë Rama në video.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) ka miratuar dje kërkesën e Drejtorisë për Transformim të Komunës së Prishtinës, duke dhënë pëlqimin për realizimin e punimeve të infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Xhorxh Bush”.
Rama ka thënë se letrën e kanë pranuar sot./Reporteri.net



