Përkujtohet rënia heroike e Myrtë Zenelit, zbulohet pllaka përkujtimore në shtëpinë e Demush Ahmetajt dhe nderohen dëshmorët e luftës
Sot, më 21 maj 2026, u përkujtua rënia heroike e Heroit të Kosovës dhe njërit prej organizatorëve të parë të UÇK-së, Myrtë Zeneli, i cili ra heroikisht gjatë betejës treditore të zhvilluar në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz dhe Bokshiq, në maj të vitit 1998.
Në nderim të veprës së tij, emrin e Heroit e mbajti Brigada 132 “Myrtë Zeneli”, brigada e parë e formuar në Zonën Operative të Dukagjinit, e cila veproi gjatë luftës në rajonin e Dushkajës dhe Lugut të Baranit.
Bashkë me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, u bënë homazhe edhe në vendin e rënies së tij në Qeskovë. Me këtë rast u nderua edhe kujtimi i dëshmorëve Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlia, Isuf Morina dhe Heroit Arben Haliti, të cilët ranë heroikisht në të njëjtat luftime.
Po ashtu, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëluftëtarë, drejtues të Aleancës, miq e familjarë, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të Heroit Myrtë Zeneli në Zllapek, në familjen e Smajl Demush Ahmetajt nga Belleja.
Pllaka përkujtimore u zbulua pikërisht në përvjetorin e rënies së Heroit Myrtë Zeneli, i cili ishte edhe themelues i njësisë guerile “Sopata”, e përbërë nga Myrtë Zeneli, Hasan Ahmetaj, Sadri Ahmetaj, Demush Ahmetaj, Ramush Ahmetaj, Fadil Ahmetaj dhe Adem Bekaj.
Në shenjë respekti për kontributin dhe aktivitetin e pandërprerë në shërbim të vendit, Ramush Haradinaj ndau mirënjohje edhe për Fadil Ahmetaj, pjesëtar i njësisë “Sopata”.
Ceremonitë përkujtimore u zhvilluan në frymën e respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe heronjve të lirisë, me mesazhin: “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet.”



