Rubio: Kuba paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të ShBA-së
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Kuba përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara, ndërsa mundësia për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Havanën është “jo e madhe”.
Komentet e tij vijnë vetëm një ditë pasi autoritetet amerikane ngritën akuza ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro për vrasje, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996, ngjarje ku humbën jetën shtetas amerikanë.
Rubio tha se Uashingtoni vazhdon ta preferojë një “zgjidhje diplomatike” me Kubën, por theksoi se presidenti Donald Trump ka të drejtën dhe obligimin për të mbrojtur vendin nga çdo kërcënim.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, i hodhi poshtë deklaratat e Rubios, duke e akuzuar atë për “gënjeshtra” dhe duke insistuar se Kuba nuk ka paraqitur kurrë rrezik për SHBA-në, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Duke folur para gazetarëve të enjten, Rubio u shpreh se diplomacia “mbetet zgjedhja jonë e preferuar me Kubën”, por shtoi se “duke parë me kë kemi të bëjmë aktualisht, gjasat për këtë nuk janë të mëdha”.
Ai gjithashtu akuzoi Kubën se është “një nga sponsorizuesit kryesorë të terrorizmit në rajon”, pretendim që Rodríguez e mohoi ashpër përmes një postimi në rrjetin social X.
Kryediplomati kubanez kritikoi Rubion për nxitje të “agresionit ushtarak” ndaj Kubës dhe akuzoi qeverinë amerikane se po sulmon vendin e tij në mënyrë “të pamëshirshme dhe sistematike”.



