Ejup Maqedonci: Raporti amerikan konfirmon mbështetjen për transformimin e FSK-së
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur Raportin e Departamentit të Shtetit i përgatitur për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, i cili konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.
“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar në ‘Facebook’ Maqedonci.
Po ashtu, ai ka vlerësuar lart njohjen e rolit të Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare.
“Angazhimi ynë për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo pasqyron qartë transformimin e Kosovës nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj”.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, ka shkruar Maqedonci.



