Lideri Suprem i Iranit thotë se shtetet e Lindjes së Mesme “s’do shërbejnë më si mburoja për bazat amerikane”

26 maj 2026 | 10:06

Kombet e Lindjes së Mesme “nuk do të shërbejnë më si mburoja për bazat amerikane,” tha të martën udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.

Në një mesazh të shkruar për të shënuar Haxhin, Khamenei foli për një “rend të ri” që po shfaqet për rajonin e Gjirit dhe për botën.

“Shtetet e Bashkuara jo vetëm që nuk do të kenë më një strehë të sigurt për ndërhyrjet e tyre dhe për ngritjen e bazave ushtarake në rajon, por dita-ditës po largohen gjithnjë e më shumë nga statusi që kishin dikur”, tha Khamenei.

Në mesazh, Khamenei tha se Izraeli dhe udhëheqësit e tij po “i afrohen fazave të fundit të ekzistencës së tyre të mjerueshme”.

Më shumë se dhjetë javë pasi u shpall si udhëheqësi i ri suprem i Iranit pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei, iranianët ende nuk e kanë parë apo dëgjuar Khamenein, megjithëse ai ka publikuar disa mesazhe të shkruara.

Mesazhi i fundit i Khameneit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani po përpiqen të bien dakord për formulimin e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi në fund të shkurtit.

Islami kërkon që çdo mysliman që është fizikisht dhe financiarisht i aftë të bëjë udhëtimin në qytetin e shenjtë të Mekës të paktën një herë në jetën e tij ose të saj.

Haxhi i këtij viti po zhvillohet në sfondin e luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, e cila ka përfshirë disa vende të Gjirit dhe ka shkaktuar një krizë historike energjetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Punës dhe Familjes, Andin Hoti, ka…