Vrasja në “Bregun e Diellit”, i dyshuari ende në arrati, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi të martën mbrëma në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën një person me inicialet A.H. Në njoftim thuhet se i dyshuari ende është në arrati.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 27 maj 2026, rreth orës 08:30, ndërsa menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës.
“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se organet e hetuesisë kanë siguruar dhe janë duke analizuar video-incizimet nga kamerat e sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personit të dyshuar.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9 për gjurmimin e lëvizjeve të viktimës dhe të dyshuarit, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë veprimet intensive hetimore dhe operative për arrestimin e personit të dyshuar për këtë vrasje.



