NATO do të nisë stërvitje me forca të reduktuara në Detin Baltik

03 qershor 2026 | 17:02

Stërvitjet detare të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara do të nisin këtë javë në Detin Baltik me forca të reduktuara krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi sot transmetuesi TVP World.

“Në këtë periudhë, zhvillimi i një stërvitjeje të madhe nën udhëheqjen e SHBA-së, me pjesëmarrje të gjerë të vendeve të NATO-s, është një tregues i fuqisë dhe unitetit të aleancës”, deklaroi ushtaraku gjerman Stephan Haisch.

Stërvitja BALTOPS, e planifikuar të zhvillohet nga 4 deri më 20 qershor, do të përfshijë rreth 20 anije nga 15 vende dhe afro 6 000 pjesëtarë personeli, që përbën rreth gjysmën e madhësisë së stërvitjeve të vitit të kaluar.

Sipas zyrtarëve, reduktimi i shkallës së stërvitjes pasqyron angazhimet e vazhdueshme operacionale në rajone të tjera, përfshirë dislokimet në Lindjen e Mesme dhe Arktik.

Megjithatë, BALTOPS pritet të jetë stërvitja më e madhe detare në Detin Baltik gjatë këtij viti.

Operacionet do të nisin në pjesën perëndimore të Detit Baltik, përpara se të zhvendosen drejt lindjes, në zonën përreth ishullit suedez Gotland.

Haisch tha se ruajtja e linjave detare të komunikimit mbetet një mision kyç, si për logjistikën ushtarake, ashtu edhe për transportin tregtar.

Ai theksoi se nuk pret që Rusia të ndërmarrë veprime që mund të aktivizojnë klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, të njohur si Neni 5, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas tërheqjes nga projekti i Aeroportit të Vlorës të kompanisë…