Poezi nga Marin Kelmendi
PSALME VAJI TË MURGUT
Gjurmë të lashta bëhen edhe gjurmët e reja,
Ecur bregut të dashurisë mbi hi fjalësh,
Lëndueshëm frymon zemra, e braktisur nga shpirti,
Ishte një çast, apo kujtimet janë lodhur,
Nata përpin terrin, që sytë të shohin,
Ashti po mblidhka gjakun e vet damarëve të plasur.
Misteri vazhdon si psalme vaji të murgut,
Alga mendimesh mbushet moçali i mendjes,
Çdo bimë e shpirtit thahet etjes,
Ishte ëndërr e keqe, apo sytë nuk panë!?
Ka mbetur edhe pak ajër e erë,
Edhe vaji shfryn zemrën e plasur,
Çdoherë kur shpresa vdes e fundit,
Ishte ëndërr e keqe apo sytë nuk panë!?
RIKTHEHEM NË FLAKË
Hiri im nuk është ai hiri i asaj përralle,
Që të mëson të kthehesh,
Duke e derdhur rrugës së panjohur,
Është një kujtesë e butë,
Që tregon se digjia ime ka pasur sukses,
Më mëson të kthehem përsëri në flakë.
Në atë flakë zhytem
Si në një plagë të shenjtë,
Dhe gjej gjurmët e mia,
Që më mësuan të jem udhë.
Kur u shkriva.
Hiri më foli pa zë:
Je kthyer,
jo aty ku ishe,
Por aty ku u bëre.
Çdo shkrumb
përmban një farë të fshehur
që mbin frymën time.
Unë kthehem jo si dikur,
Por si një amanet i lashtë,
I ruajtur nga dashuria.
Në arën e këtij hiri të qetë,
Mbijë me një emër të ri,
Që i fryn flakës,
Bashkë me veriun tim.
PA U FTOHUR KAFJA
Pa u ftohur kafja në buzët e mëngjesit,
Ti ike si avull i lehtë mbi filxhan,
Si një fjalë që nuk u tha kurrë,
Por mbeti e ngrohtë në gjuhën time.
Ora rrëshqiste pa zhurmë në mur,
Si një zvarranik i plagosur rëndë,
Mua më pinte ngadalë dhembja e mungesës,
Më me afsh më kafshonte nata.
Dritarja s’mund ta mbante frymën e dritës,
Një rreze terri më pyeste për ty,
Ndërsa luga po përziente vetminë,
Nëpër çdo gjurmë tënde zbathur.
Pa u ftohur kafja,
Shkuma mori trajtën tënde të padukshme,
Dhe unë mbeta këtu,
Një porcelan që s’di ta harrojë nxehtësinë.
FRYN LIRIKË ERE
Më kalon mbi buzë si një fjalë e pathënë,
Pa prekur skajet e mureve, kthehet prapë,
Sikur të kishte harruar diçka.
Nuk është nga ato erërat e vjeshtës që shkundin degët,
Prandaj është lirikë,
Ngjan me ato puthjet e para,
Që kurrë nuk u mësuan të përsëriten.
Era paska harruar të shohë
Ç’është ajo pikë që pikon nga syri,
Lot ose këngë stine.
Era di të hyjë në plagë pa trokitur,
Të gjejë vendet ku kam zbarkuar veten,
Nga e nis jehonën e vet:
“S’jam vetëm, sepse jam me ty”.
Në çdo fjalë të erës,
Një rrëfim i vogël,
Një ikje,
Një ardhje,
I jep mallit emrat tanë,
Pa ritual meshe.
Era s’ndalet kurrë,
Se e di që ndalja është fundi i këngës.
Mbështetur në këtë lëvizje të padukshme,
Si në një stol parku,
Lehtë mund të na marrë era,
Si një ëndërr në gjumin e shiut,
Mësojmë veten të mos kemi frikë nga fortunat,
Të bëhemi vetë lirikë ere,
Një këngë që s’mbaron veç me kaq.
Edhe lirika bëhet erë,
Fryn për pak ishujve të ëndrrës,
Mes baticës së heshtjes,
Që s’ka nevojë për fjalë.
FRYMËZIM QË TË VIJNË FLUTURAT
Fluturat vetëm pas fluturave vijnë,
Edhe pas asaj vajze të lagjes sime,
Që ka emrin Flutur.
As pranvera e ftohtë nuk i tërheq,
U bëjnë naze edhe luleve,
Që vonojnë të çelin.
Ikin edhe nga puthjet
Me zë të lartë,
Nga hijet që lëshojnë fjalë.
Duan të jesh i ulur
Pranë një drite të butë,
Ta kesh shpirtin të çelur
Si një mëngjes vese,
T’u bëhesh petale,
T’ua shtosh aromën,
T’u bëhesh velë anijeje,
Për një strehë ere,
Shkop magjik t’ua largosh retë e shiut.
Një fjalë e mirë,
Një kujtim i kthyer në dritë,
Një dhimbje e falur,
Janë kopshtet e tyre të fshehta.
Dhe kur të ndiesh mbi sup
Një peshë të lehtë si frymë,
Mos u shkundullo!
Është shpirti yt,
Që ka zbritur aty me krahë fluture.
Marrë nga nr. 26 i revistës “Akademia”



