Ademi takon Infantinon në samitin e FIFA-s në Miami

15 qershor 2026 | 11:31

Presidenti i Federatës e Futbollit e Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka zhvilluar një takim me presidentin e FIFA, Gianni Infantino, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Ekzekutiv të Futbollit të FIFA-s në Miami, në kuadër të aktiviteteve për FIFA World Cup 2026.

Ademi i ka cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet e Kosovës me FIFA-n, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që futbolli kosovar ka marrë ndër vite. “Marrëdhënia e shkëlqyer e FIFA-s me Kosovën dhe mbështetja e vazhdueshme për futbollin tonë janë dëshmi e respektit që vendi ynë gëzon në familjen botërore të futbollit”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka vlerësuar gjithashtu afërsinë dhe përkushtimin që, sipas tij, presidenti Infantino ka treguar ndaj Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Vlerësoj lart afërsinë dhe përkushtimin që presidenti Infantino ka treguar vazhdimisht ndaj Kosovës, FFK-së dhe ndaj meje personalisht”, ka thënë ai.

Në kuadër të samitit, ku janë mbledhur drejtues të federatave nga e gjithë bota, diskutimet janë përqendruar te programi FIFA Forward, investimet në zhvillimin e futbollit dhe krijimi i mundësive të reja për federatat anëtare.

Sipas Ademit, vëmendje e veçantë i është kushtuar zhvillimit të të rinjve dhe investimeve afatgjata në futboll. “Fokusi i këtij samiti është te programi FIFA Forward, në investimet në zhvillimin e futbollit dhe krijimi i mundësive të reja. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të të rinjve, si themel i suksesit afatgjatë të çdo federate”, ka thënë ai.

Presidenti i FFK-së ka bërë me dije se në ciklin e ardhshëm priten investime të konsiderueshme nga FIFA, të orientuara në infrastrukturë, edukim dhe digjitalizim.

“Fondet e planifikuara prej rreth 5 miliardë dollarësh synojnë të mbështesin infrastrukturën sportive, zhvillimin e projekteve, avancimin e sistemeve të edukimit dhe digjitalizimit në futboll”, ka thënë Ademi.

Më tutje, Ademi ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me FIFA-n në funksion të zhvillimit të futbollit dhe investimit në gjeneratat e reja. “Këto investime janë thelbësore për forcimin e federatave në mbarë botën, me theks të veçantë në zhvillimin e vajzave dhe djemve në futboll, si dhe në masovizimin e lojës përmes programeve si FIFA Arena, duke krijuar mundësi që sa më shumë fëmijë të përfshihen në sportin më të bukur në botë. Kosova mbetet e përkushtuar që, përmes partneritetit me FIFA-n, të vazhdojë investimin në rini, infrastrukturë dhe të ardhmen e futbollit tonë”, është shprehur Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit…