ÇFARË PO NDODHË NË SHQIPËRI? (2)
Shkruan: Hajdin Abazi
Protestat në Shqipëri po vazhdojnë, flamingot po e ruajnë dinjitetshëm durimin dhe reagimin qytetar në linjat paqësore, gjë që po i bën tepër të veçanta, tashmë edhe në ditën e 32-të. Revoltat e mëdha qytetare zakonisht ose ndodhin për një kohë të shkurtë ose degradojnë në përleshje. As njëra e as tjetra nuk po ndodhin. Madje, ka një tendencë zgjerimi edhe në qytete të tjera, duke treguar se jo vetëm figurativisht por edhe realisht pakënaqësia është kombëtare.
Kah po ecin zhvillimet?
Mundësia e infiltrimeve, çka edhe ka gjasa të jetë ashtu sikurse thuhet, nuk është assesi shkaku kryesor, e aq më tepër duke stisur agjentë e duke përhapur dyshime, gjë që shpërfaqet dobësia e pushtetit – ku ishte më herët, përse nuk ka reaguar me kohë, përse nuk ka vepruar për t’i kapur dhe për t’i vënë para drejtësisë!? Një masë e duhur u ndërmor ndaj disa elementeve të hapura pro-iranianë – këta as nuk ishin e as nuk janë forca shtytëse, po vetëm dëmtuese. Shqipëria nuk ka aspirata religjioze, po politike, sociale, ekonomike, të mirëqenies, të dinjitetit njerëzor, të mos nëpërkëmbjes së krenarisë shqiptare, mos tjetërsimit të atdheut.
Në shikim të parë duket sikur dita është e pushtetit, e proceseve të zakonshme administrative e të funksionimit të shtetit; kurse mbrëmja është e protestuesve, e të pakënaqurve. Ndonëse, herë-herë, po ka zhvillime edhe gjatë ditës, kur protestuesit, në lokalitete të ndryshme kur vazhdojnë abuzimet, me vigjilencë reagojnë për të treguar se këtu jemi. Ndjenja e reagimit për ato zona që janë mbrojtur edhe me ligj, vetëm sa është forcuar. Abuzuesit nuk do ta kenë më rehatinë që e kishin ndër dekada. Shtetit e atdheut po i dilet zot nga qytetarët, ndërkohë që pushteti bëhet i shurdhër dhe memec. Abuzimet janë damkosur dhe janë kthyer në një të keqe kombëtare.
***
Admirimi nga perëndimorët, sidomos nga evropianët, për natyrën e protestës së masave të gjeta popullore po rritet dhe po merr vëmendjen e qendrave të vendosjes. Disa syresh po dalin edhe hapur në mbështetje: deputetë europarlamentarë dhe nga Parlamenti Evropian. Po ju japin të drejtë. Sigurisht, ky nuk është thelbi, po është tregues se revolta qytetare ka për bazë vlerat perëndimore, të cilat janë vlera edhe për shqiptarët.
Sidomos tepër i veçantë është durimi dhe karakteri paqësor i protestës edhe për 32 ditë radhazi, sjellja e dinjitetshme e protestuesve, të cilët kanë guximin të dalin, të protestojnë, të targetojnë fenomenet negative që e kanë gërryer shtetin dhe atdheun shqiptar, por po ashtu janë krejtësisht të ndërgjegjshëm se ata nuk duan shkatërrim, nuk duan rrënim, nuk duan dhunë, nuk duan përleshje, nuk duan luftë midis shqiptarësh, nuk duan gjakderdhje. Deri tash ishte kështu, dhe kjo është madhështore. Duket se ky brez ka nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara se dhuna nuk është mjeti i duhur, jo përderisa ka hapësirë për veprim demokratik. Ajo që do të japë rezultat është qëndrueshmëria, vazhdimi dhe mos reshtja e protestave: ashtu dinjitetshëm, me krenari, me dashuri ndaj atdheut e ndaj shtetit.
A është kjo e mundur!?
Historia tregon se po. Dhe shembulli më flagrant, që ka frymëzuar gjithandej nëpër botë lëvizjet paqësore, është rezistenca e organizuar nga Mahatma Gandi. Ai ndër të parët qe që e zbuloi se forca e popullit nuk qëndron vetëm te përleshjet, te kacafytjet, te konflikti, te lufta civile ose lufta e armatosur e frontale. Ai e zbuloi, dhe i dha mësim njerëzimit, se forca e një populli po aq qëndron edhe te vetëdija për fuqinë e vet, te vendosmëria për ndryshimin, te qëndrueshmëria, te mos thyerja e mosdorëzimi, po te vazhdimi dhe te shpërfaqja e kërkesave reale, thelbësore që e ngulfasin një popull, shtetin e atdheun.
Ndryshimet e mëdha, ashtu sikurse sëmundja e kancerit nuk ka terapi efektive të shpejtë, jo në këto rrethana, jo në këtë gjendje kur Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. As gjendja evropiane e as ajo ndërkombëtare nuk është në favor të situatës revolucionare. Konform kësaj, alternativa e vetme mbetet vazhdimi në mënyrë paqësore të protestohet, të shprehet pakënaqësia me pushtetet që për tridhjetë e pesë vite nuk kanë arritur t’i ndalin abuzimet kancerogjene të shtetit, të atdheut e të dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve, po vetëm i kanë ekspanduar. Populli ka shpërfaqur guximin qytetërues. Ky është dallimi, por edhe avantazhi i madh i protestave të tashme qytetare.
***
Përderisa marshimet e protestat janë paqësore, në botën virtuale, në rrjetet sociale zhvillohet një luftë mjaft epike.
Në njërën anë paraqiten folës të ndryshëm, që shpesh duken të rastit, dhe mbajnë fjalime frymëzuese përmes rasteve personale ose specifike, duke treguar për korrupsionin, për shkelje të ndryshme ligjore, për përvetësim me qindra miliona nga pasuria kombëtare, me dëshmi nga ndjekjet penale të SPAK-ut, apostrofohen emra konkret, duke u distancuar nga garniturat famëkëqija të korruptuara politike të 35 viteve të kaluara, por gjithnjë duke manifestuar dashuri ndaj atdheut, kombit, historisë, madje edhe duke u treguar ambientaliste – duke pastruar rrugët e sheshet pas protestave. Ia drejtuan “Albanian files” SPAK-ut për ta faktikuar skemën e abuzimeve e që pretendohet se ato po implementohen.
Në anën tjetër është pushteti, sidomos numri një i tij, që është tejet aktiv në rrjetet sociale me kundërvënien virtuale. Sharmi, afiniteti komik dhe përçmimi po kthehen në bumerang. Duket se nuk po kuptohet drejt gjendja reale e masave që po protestojnë. Nuk bëhet shaka me masat më të ndërgjegjshme të popullit. Jo rrallë del kontradiktor. Angazhohet ta vërë partinë në konfliktin virtual. Ndonëse protestat nuk kanë të bëjnë me partitë, me anëtarësinë e gjerë, por vetëm me ata që brenda tyre abuzojnë me shtetin e pasuritë kombëtare. Duket se edhe brenda partive të vjetra, të mëdha, ka pakënaqësi ndaj lidershipit dhe po shfrytëzohet gjendja për t’u artikuluar dhe ri-pozicionuar. Duket se godinat e vjetra nuk mund të mbahen më, pa një rinovim të mirëfilltë. Dhe duket se këtë e kanë kuptuar disa.
***
Porse problemi i vërtetë nuk është as produkt e as shkak virtual, i rrjeteve sociale. Ai është real, i brendshëm, në ingranazhet e shtetit nga qeveria qendrore e deri te pushteti lokal. Korrupsioni. Abuzimet. Privatizimi i segmenteve të atdheut. Nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve. Zhvatja thuaja publike e buxhetit të shtetit dhe e thesareve të atdheut. Një gërmadhë padrejtësish ndaj qytetarëve. Premtimet e dhëna e shkelja e tyre. Mashtrimet, Gënjeshtrat publike. Shpërfillja e vullnetit të qytetarëve.
E pra, atdheu nuk është vetëm i disave, po i të gjithëve. Kjo duket se është harruar nga garniturat pushtetare në këto 35 vite.
Shteti nuk është një e mirë vetëm për kastat në pushtet, por duhet të jetë një e mirë e përgjithshme, për të gjithë qytetarët pa dallim.
Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe gjithherë të anojë në anën e atyre që kanë të drejtë, e jo të atyre që janë të fortë.
Dikur besohej se Shqipëria ishte e varfër dhe shpëtimi kërkohej në emigrim, por doli se Shqipëria ishte e pasur sepse garniturat e establishmentit të deritanishëm kanë abuzuar me miliarda euro ndërkohë që masat e gjera qytetare varfërohen. Këto tashmë po dëshmohen edhe nga SPAK-u.
Po si u bë që në çdo palë zgjedhje, gjithherë betoheshin e përbetoheshin se do të punonin për të mirën e Shqipërisë, për qytetarët e saj dhe mirëqenien e tyre, e gjithnjë bënin minimumin për këto – e maksimumin për ato që nuk i thoshin: përvetësime korruptive parash, pronash, vilash, banesash e depozitime jashtë vendit. Dhe nuk kishin që nuk kishin të ngopur.
Këto të këqija që i janë rënduar masave të gjera qytetare; këto janë ato problemet reale, të cilat masat protestuese po kërkojnë ndalimin e tyre, dhe bërjen e shtetit një të mirë të përgjithshme për shtetasit (ashtu sikurse e kishte definuar Aristoteli). E pushteti i establishmentit të këtillë duket se është e pamundur të bëjë ndryshimin, është absorbuar dhe është kapur në rrjetin e ushujzave të pangopshme.
***
Të gjitha këto janë motive, pjesëza të mozaikut qytetar të pakënaqësisë, që i bëjnë qytetarët të revoltohen, të protestojnë, të tregojnë se nuk durohet kjo gjendje më.
Si rrjedhojë, ka pasur disa momente kur gjendja është agravuar.
Fodullëku i disa pushtetarëve, vazhdimi me komoditet dhe injorimi thuaja total i masave të mëdha qytetare nga ana e disa pushtetarëve, ka acaruar nervat e disa protestuesve. Ata nisën të reagonin duke hedhur vezë e shishe plastike uji në drejtim te veturave të tyre.
Kjo e vë në hall policinë e rendit. Ajo duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët pa dallim, dhe vepron për të ndaluar përleshjet. Deri më tash e ka bërë pa përdorë dhunë, dhe kjo është shenjë e mirë. Madje, edhe kur i arrestoi disa nga protestuesit, ishin tejet të kujdesshëm. Konflikti me policinë duhet të mos ndodhë. Disa nga organizatorët e thonë këtë, dhe duhet t’i përmbahen. Gjaku shqiptar nuk ka përse të derdhet, nga askush.
Nuk është zgjidhja te heroizmat e Avni Rrustemit, sepse sistemi nuk ndryshohet ashtu, nga që nuk është një individ, po është një garniturë, dhe shpejt mund të zëvendësohet individ nga kjo garniturë. Për garniturën abuzuese politike nuk çon peshë aspak emri i individit, por qasja abuzive te pushteti, te thesari i shtetit dhe i atdheut. Një gabim të tillë nuk do të duhej ta bënte askush në Shqipëri. Një garniturë e degraduar mund të mposhtet vetëm me ndryshime kualitative, duke demonstruar forcën e popullit përmes vazhdimit dhe qëndrueshmërisë së mbrojtjes së Shqipërisë.
***
Pushteti po e vë theksin te infiltrimet dhe spiunazhi i huaj, gjë që nuk përjashtohet si mundësi, por që bëhet për të ngjallë huti, mosbesim, dyshim e zhgënjim. Një gjë e mirë është se pushteti nuk ka treguar deri më tash ndonjë prirje për të provokuar përmes nxitjes së dhunës policore (se a po ndodhë kjo nga që policët nuk do ta përfillnin një urdhër të tillë ndaj demonstruesve paqësor dhe mund të braktisnin uniformat e të dilnin në anën e popullit; apo është përmbajtje e pushtetit; apo një kombinim i të dyjave – mbetet ta tregojë koha). Sido që të jetë, kështu duhet të vazhdojë. Sepse policët janë të këtij populli dhe nuk bën, në asnjë mënyrë të vihen kundër popullit të vet. Por edhe protestuesit duhet të mos veprojnë ashtu që të cenojnë sigurinë e institucioneve, nga që ata duhet të reagojnë për t’i mbrojtur ata.
Sigurisht, pushteti ka disa përgjegjësi kushtetuese e ligjore. Nuk mundet të bie lehtë asnjë pushtet. Ai duhet të tregojë qëndrueshmëri institucionale. Duhet të sprovohet në raport me protestuesit. Dhe vetëm kur i pamundësohet qeverisja pak a shumë normale, atëherë duhet kërkuar zgjidhje. Nga Bashkimi Evropian po i bëhen thirrje pushtetit që t’i përfillë demonstruesit, kanë shprehur mbështetje për disa nga kërkesat e tyre. Duhet të reflektohet nga pushteti, por edhe nga demonstruesit, sidomos nga organizatoret.
***
Çfarë duhet të kuptojë pushteti që nuk e ka kuptuar deri më tash?
Pushteti duhet të kuptojë se kontratën që e ka bërë me qytetarët (përmes zgjedhjeve të fundit parlamentare) nuk e ka përmbushur. Ajo nuk ka qenë kontratë që të ndryshon ligjet për të mundësuar tjetërsimin e zonave të mbrojtura dhe perlat shqiptare. Ajo nuk ka qenë kontratë që të shiten copëza të atdheut pa transparencë dhe kundër ligjeve; sepse kur shitet një fragment atdheut – blerësi mund t’ia shesë nesër kujt të dojë dhe shteti nuk mundet më ta ndalojë – e mund të krijohen enklava që do të ishin kancerogjene për autoktoninë shqiptare! Ajo nuk ka qenë kontratë që shteti të bëhet hambar i abuzuesve dhe i zhvatësve, apo jo!? Nuk ka qenë kontratë për të vazhduar e thelluar korrupsionin! Nuk ka qenë kontratë për të degraduar masat qytetare shqiptare! Nuk ka qenë kontratë që pushteti të shndërrohet në sundim ndaj qytetarëve, po në shërbim të tyre. A mundet, vallë, t’i kuptojë pushteti këto largime nga misioni i përcaktuar me kontratën qytetare në zgjedhjet e kaluara? Do të duhej. Sepse, ndonjë punë e mirë e bërë ka mbetur nën hijen e të këqijave që po i ngulfasin masat qytetare. Po qe se pushtetarët i kanë dhënë vetes të drejtën aspak legjitime ta tjetërsojnë kontratën politike me elektoratin, atëherë populli ka të drejtën legjitime që t’i thotë mjaft e të kërkojë një kontratë të re politike që shtetin do ta bënte shtet të së drejtës, që të zotërojë transparenca, që pushteti të luftojë abuzimet e të gjitha llojeve. Pushteti duhet të reflektojë e të gjejë mënyra për të vënë kontakt me protestuesit si institucion i popullit, ashtu që gjithçka të kanalizohet drejt kompromisit dhe gjetjes së modeleve për të ecur përpara.
Po protestuesit dhe sidomos organizatorët, çfarë duhet të kuptojnë që të mos e humbin kauzën?
Masat qytetare po demonstrojnë paqësisht për ndryshimin real e jo mashtruese sikurse për tri dekada e gjysmë e kanë lozur lojën garniturat e establishmentit. Ky duhet të jetë tabani i tyre, i pandryshuar. Nëse njëmend duan ta ruajnë dinjitetin dhe të tregojnë shkëputjen nga praktikat e vjetra të agresivitetit. Ata kanë një platformë politike, për ndryshim në qeverisje. Forca e tyre reale nuk qëndron thjesht vetëm te masiviteti, po, mbi të gjitha, te kërkesat reale dhe legjitime, që Shqipëria t’i kthehet vetes e qytetarëve të saj. Po qe se aspiratat janë njëmend të këtilla, atëherë organizatorët duhet të lidhen me figura të shquara intelektuale, me shkencëtarë, politologë, filozofë, ekonomistë, diplomatë, ish-ushtarakë e të këtillë. Ndër shqiptarët ka emra eminentë, që kanë arritur ta ruajnë dinjitetin e vet dhe kanë treguar sukses me vepra e arritje. Pa i bashkuar këto kapacitete gjasat janë minimale të sendërtohen objektivat e vërteta qytetare. Euforia duhet për ta mbajtur gjallë protestën, për të treguar vendosmërinë që është kusht për ta mundësuar ndryshimin e kërkuar kualitativ, porse për sendërtimin e saj nevojitet një elitë serioze, e aftë për t’u përballur me sfidat dhe për t’i bartur proceset pozitive drejt anëtarësimit në BE. Duhet të dalë një elitë me vlera të dëshmuara, me frymë perëndimore, e jo të merren si model që konfiktohet me perëndimoret, sepse atëherë do të dëmtohej Shqipëria dhe protestat do të ktheheshin në të kundërtën e vet. Deri këtu, protestat e kanë kryer si duhet misionin e vet: e kanë qartësuar ndryshimin rrënjësor në politikë që i duhet Shqipërisë. Tash duhet të kalojë në fazë tjetër: të bashkojë kapacitetet intelektuale të ndershme, me moral, me dinjitet, me virtyte, patriotë me shpirt e mendje; ta bëjë një alternativë që njëmend të jetë e aftë për ta bërë ndryshimin, për ta kuruar shtetin shqiptar nga sëmundjet e së kaluarës.



