Shqiptar Gubetini bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestën mbështetëse për krerët e UÇK-së në Zarë
Shqiptar Gubetini, veprimtari në diasporë dhe kryetar i PDK-së në Regensburg të Gjermanisë, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën mbështetëse që do të mbahet në Zarë të Kroacisë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një mesazhi publik, Gubetini u ka bërë apel bashkatdhetarëve që t’i bashkohen këtij organizimi, duke e cilësuar atë si një aktivitet me rëndësi për shprehjen e solidaritetit dhe mbështetjes.
“Ftoj të gjithë bashkatdhetarët që kanë mundësi të marrin pjesë masivisht dhe të japin kontributin e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm”, ka deklaruar ai.
Protesta do të mbahet me 5 korrik dhe pritet të mbledhë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, me synimin për të shprehur mbështetje ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së që ndodhen në proces gjyqësor në Hagë.



