Tre emra që i bashkoi ideali i bashkimit kombëtar

08 korrik 2026 | 13:27

Shkrim nga: Faton Mehmetaj

Në historinë shqiptare ka figura që nuk u kufizuan vetëm në një rol. Ata ishin luftëtarë, organizatorë, veprimtarë dhe ruajtës të frymës kombëtare. Një fotografi e realizuar në Tiranë më 8 nëntor 1969 i sjell bashkë Demë Ali Pozharin, Dervish Shaqën dhe Demush Nezirin, tre personalitete që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare.

Sipas studiuesit Faton Mehmetaj, Demë Ali Pozhari ishte një nga veprimtarët më të shquar të kauzës kombëtare dhe një prej komandantëve kryesorë në organizimin e mbrojtjes së Plavës, Gucisë dhe trojeve shqiptare në Mal të Zi nga sulmet e forcave serbe dhe malazeze. Ai vinte nga një familje me traditë të gjatë atdhetare, e cila dha shumë luftëtarë dhe dëshmorë, nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në luftën e fundit për liri.

Edhe Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të dy nga Lluka e Epërme e Deçanit, mbetën besnikë idealeve kombëtare gjatë gjithë jetës. Përveç angazhimit të tyre në lëvizjet për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, ata u bënë të njohur edhe si rapsodë të mëdhenj të folklorit shqiptar. Këngët e tyre nuk ishin vetëm art, por edhe mesazhe të fuqishme për liri, identitet dhe bashkim kombëtar.

Sipas të njëjtit burim, ata vepruan nën platformën e Ballit Kombëtar të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri dhe Demë Ali Pozhari. Po ashtu, Dervish Shaqa, së bashku me Shaban Brahën, Shaban Zenelin, Abdullah Salihun, Sali Shatrin, Ajet Haxhiun, Zymer Dulën, Qerim Ukën dhe veprimtarë të tjerë, ishin ndër organizatorët e Lëvizjes për Shpëtim Kombëtar, e cila vepronte përmes grupeve diverzive në Kosovë dhe në trojet shqiptare të mbetura jashtë shtetit shqiptar.

Kontributi artistik i Dervish Shaqës dhe Demush Nezirit u vlerësua edhe zyrtarisht. Në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ata u nderuan me titullin “Artist i Popullit”, si vlerësim për trashëgiminë e tyre të jashtëzakonshme në folklorin shqiptar.

Në kujtim të këtyre dy rapsodëve, Komuna e Deçanit organizon Festivalin Gjithëkombëtar të Folklorit “Eshkë e Ndezur mbi Shkëlzen”, një ngjarje që mban gjallë kujtimin e jetës dhe veprës së tyre.

#abcnewskosova #abcmediagroup #abc #ABCNews

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Albanians For America ka përkujtuar Agron, Mehmet dhe Ylli…